Festivali Folklorik Mbarëkombëtar ka mbledhur sot në New York, SHBA, qindra solistë, valltarë, grupe muzikore dhe ansamble nga komuniteti shqiptaro-amerikan, si dhe nga trojet mbarëshqiptare.

Mesazhi i këtij festivali, që këtë vit i dedikohet 550 vjetorit të heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, është ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë të prekshme dhe asaj shpirtërore.

I organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” me seli në Hartsdale në New York edicioni i 27-të i këtij festivali zhvillohet në Qendrën e Arteve të Kolegjit Lehman në lagjen Bronks të Nju Jorkut.

Një rol qëndror në këtë organizim ka grupi i parë artistiko kulturor brenda komunitetit amerikan “Rozafati”, i themeluar para tri dekadash pranë Qendrës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” në Nju York.

Fëmijët e këtij grupi nga tre shtetet: Nju Jork, Nju Xhersi dhe Konektikat nga mosha 5 deri ne 23 vjeç çdo javë ushtrojnë vallet shqiptare në qendrën “Shën Nënë Tereza”, në Harsdale nga koreografja Angjelina Nika, ish valltare e Ansamblit Shtetëror të Shqipërisë e dekoruar nga presidenti Nishani me çmimin ”Mjeshtër i Madh”.

Misioni i këtij Festivali gjithëshqiptar është përpjekja për të identifikuar, dokumentuar e prezantuar folklorin mbarëkombëtar shqiptar, të mbajë të bashkuar komunitetin shqiptar, pa dallim feje apo krahine.

Festivali ka si qëllim edhe ruajtjen dhe përkrahjen e traditës muzikore dhe folklorike autoktone shqiptare si dhe siguron që ato të vazhdojnë të ekzistojnë, të përcillen dhe të kenë domethënie për brezat e ardhshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: