Janë të paktën 20 projekte agroturizmi dhe pesë bujtina që do të mbështeten nga Skema Kombëtare e financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Nga ana tjetër, shifrat zyrtare konfirmojnë rritje të interesit për agroturizmin, ku në raport me një vit më parë janë trefishuar subjektet e reja të regjistruara, duke arritur në 43. Në mbështetje të sektorit vjen masa 7 e IPARD II, thirrja e së cilës u hap në fund të nëntorit. Paketa fiskale lehtësuese, e cila u miratua pak muaj më parë, nis efektin nga 1 janari 2019.

Rreth 50 kilometra larg nga Tirana, në Parkun Kombëtar të Qafështamës, Kujtim Shkreli ka vendosur t’i japë jetë një projekti me fokus agroturizmin. Djali i tij, Lumtor Shkreli, na tregon se një hapësirë prej dy hektarësh do të shërbejë si një “oaz” relaksi brenda vetë parkut. Projekti i tyre i agroturizmit rezulton mes projekteve të shpallur fitues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përmes Skemës Mbështetëse dhe, konkretisht, masave 44 dhe 45 në sektorin e agroturizmit dhe bujtinave.

“Ne jemi brenda Parkut Kombëtar të Qafështamës. Infrastruktura rrugore është në gjendje shumë të mirë dhe ka bërë të mundur që të jetë e aksesueshme nga të gjithë. Ne aplikuam pranë ministrisë dhe kemi fituar me një projekt për zhvillimin e agroturizmit në atë zonë, duke shfrytëzuar të gjithë resurset që ofron Parku Kombëtar i Qafështamës që janë aktivitete të ndryshme rekrecionale, turizëm sportiv, pra hiking, ecje në natyrë por edhe aktivitete të tjera si offroad. Po kështu, është edhe atelie mjedisore, ku klientët marrin informacion për pjesën e florës dhe faunës.

Ne si kompani kemi investuar tek ish-kampi i vjetër i punëtorëve ku më parë kishte një kapacitet prej 250 personash dhe tani e rikthyem në gjendje funksionale, duke ruajtur strukturën e vjetër të kampit. Do të ofrohen kushte moderne akomodimi. Kemi menduar që ata që vizitojnë këtë agroturizëm të kenë mundësi edhe të flenë, pasi kanë shijuar natyrën gjatë ditës”, – shpjegon Lumtor Shkreli, i cili është aktualisht edhe menaxheri. Ai nënvizon se jo rastësisht është përzgjedhur zona e Qafështamës, pasi ky park njihet edhe për ajrin e pastër dhe me parametra shumë të mirë, duke e klasifikuar atë te parqet kurativë.

Projekti i agroturizmit, për të cilën është fituar financimi nga qeveria, është ndërtimi i 30 dhomave me të paktën 60 shtretër. Lidhur me produktet, edhe ky agroturizëm do të ketë orientimin tek ato të zonës, por edhe te një ndërthurje e tradicionales me modernen.

“Në bashkëpunim me banorët e zonës është rënë dakord që të sigurohen produktet e nevojshme që do të na duhet të servirim në agroturizmin tonë. Kemi menduar që të jenë produkte tradicionale por edhe një ndërthurje me modernen, që të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Nga diskutimi që kemi pasur, banorët e zonës kanë nisur kultivimin apo planifikimin për kultivim që këtë vit për disa produkte, në mënyrë që gjithçka të jetë gati sezonin tjetër. Kemi vendosur kulturat që do të marrim nga zona dhe që duhet të mbillen. Kemi rënë dakord për perimet, për rritjen e viçave dhe kecave për mish, si dhe gjithë produktet e bulmetit”, nënvizon Shkreli.

Ajo që vihet re në projektet e reja të agroturizmit është integrimi brenda bizneseve të tjera, në mënyrë që njëri t’i shërbejë tjetrit. Një rast i tillë është familja Nurellari, e cila prej më shumë se dy dekadash prodhon verë në kantinën e tyre në fshatin Peshtan afër qytetit të Beratit. “Projekti i agroturizmit parashikon 6 dhoma hoteli dhe një restorant tradicional ku do të shërbehen vetëm produkte lokale.

Agroturizmi vjen si një pjesë plotësuese e kantinës së verës dhe ne kemi menduar që gjithçka ta ofrojmë si një paketë dhe përvojë të veçantë për ata që do të na vizitojnë. Kemi menduar që të ofrojmë një guidë të veçantë në vreshta, vizitë në kantinë, degustim verërash dhe produktesh, restorant tradicional dhe fjetje. Të gjitha këto do të vijnë me një paketë që do të përmblidhet në një çmim. Mendojmë se kantina në vetvete dhe agroturizmi plotësojnë njëri-tjetrin dhe vitin tjetër, sapo të përfundojë investimi, do të mund të mirëpresim edhe vizitorët e parë”, – tregon Leventi, djali i Fatos Nurellarit që zotëron edhe kantinën.

Leventi, i cili me profesion është enolog, na tregon se gjithçka do të jetë gati para pranverës. Investimi total është llogaritur të jetë 20 milionë lekë, nga të cilat 50% financohen përmes Skemës së Mbështetjes. Aktualisht, hapësira e vreshtës është 5 hektarë, ndërkohë që dhomat janë menduar të jenë nga 35 metra katrorë secila. Restoranti dhe salla e degustimeve do të kenë një hapësirë të konsiderueshme, ndërkohë që kantina përreth shkon në 2500 m². Lidhur me produktet që do të ofrohen për degustim apo në restorant, Leventi tregon se ato janë të fermës së tyre, kurse djathërat merren nga një biznes i zonës që prodhon posaçërisht.

 Nga Skema e Mbështetjes e kalojnë provën 20 projekte agroturizmi dhe 5 bujtina

Të paktën 20 projekte agroturizmi dhe 5 bujtina pritet që të mbështeten nëpërmjet Skemës Kombëtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pas mbylljes së aplikimeve dhe përzgjedhjes së fituesve. Aktualisht institucionet janë në procesin e lidhjes së kontratave dhe pas kësaj, për fituesit mund të bëhet edhe lëvrimi i fondeve.

Sipas skemës ishin dy masat që mbështesnin pjesën e agrotuizmit. Masa 44 parashikon mbështetje për ngritjen apo rikontruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural (bujtina) me kapacitet nga 4 deri 10 dhoma në 50% të investimit me masë financimi deri në një milion e pesëqind mijë lekë.

Masa e dytë, që është ajo 45, jep mbështetje për ndërtim apo rikonstruksion strukturash agroturistike deri në 50% të investimit me masë financimi deri në dhjetë milionë lekë. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bëri të ditur më herët se, nëpërmjet kësaj skeme ishin në dispozicion 122 milionë lekë për masën 45, ku parashikohej minimumi 12 aplikime fituese, të cilat do të rezultonin në investime agroturizmi serioze në zonat rurale. Gjithashtu, një buxhet prej 32 milionë lekësh është alokuar për masën 44, ku parashikohet ngritja ose rikonstruksioni i minimumi 22 bujtinave.

Qysh në hapjen e aplikimeve nga ana e AZHBR do të qartësohej se projektet fituese janë ato investime që kryejnë veprimtari mikpritëse, që zhvillohen në një fermë bujqësore apo në një veprimtari tjetër agrikulturore, me qëllim tërheqjen e vizitorit ndaj cilësisë së prodhimeve dhe përpunimeve autentike të fermës, ushqimit, arkitekturës dhe karakteristikat specifike të zonës. Projektet e marra në vlerësim dhe të shpallura fituese përfshijnë pjesën konstruktive, arkitekturore të shoqëruar me një relacion teknik nga arkitekti, si dhe një plan biznesi 5-vjeçar. Në përfundim të investimit, subjektet fituese duhet të sigurojnë certifikatën e agroturizmit sipas VKM për agroturizmin.

Trefishohet numri i projekteve të agroturizmit në vitin 2018, u regjistruan 43 të rinj

Të dhënat zyrtare tregojnë gjithmonë e më shumë për rritje të vëmendjes drejt agroturizmit. Në vitin 2018, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton të jenë regjistruar 43 struktura të kësaj kategorie në raport me vitin 2017 kur ishin vetëm 14 subjekte për të njëjtën periudhë 9-mujore. Në vitin 2016, numri i projekteve të agroturizmit të regjistruara ishte 12, kurse në 2015-n, 16 të tilla.

Regjistrimi i një numri të konsiderueshëm subjektesh që kanë në objekt këtë lloj aktiviteti duket se lidhet sidomos me një paketë lehtësuese të dedikuar për sektorin dhe që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2019. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e ka vënë vazhdimisht theksin te zhvillimi i agroturizmit, si dhe ngritja e bujtinave, si një mënyrë efikase për të zhvilluar zonat rurale. Bashkë me këtë janë parashikuar edhe masa të tjera mbështetëse.

Mbështetje edhe nga IPARD II nga 10 mijë deri në 400 mijë euro

Skema e granteve IPARD II që vë në dispozicion 94 milionë euro për bujqësinë dhe zhvillimin rural përfshin, mes masave të tjera, edhe masën 7. Kjo e fundit parashikon mbështetje në investime në diversifikimin e ekonomisë në fshat (agroturizëm, turizëm rural, produkte tradicionale etj.), mbështetja në këtë rast arrin deri në 65% të vlerës për investime nga 10 000 euro deri në 400 000 euro.

Por cilët janë sektorët që mbështeten në fakt nga kjo masë?

Së pari, ndërtimi i strukturave agroturistike.

Së dyti, prodhimi i bimëve mjekësore aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative dhe kërmijve.

Së treti, përpunimi dhe tregtimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, të egra dhe të kultivuara, kërpudhave dhe mjaltit.

Së katërti, përpunimi në nivel ferme dhe tregtimi i prodhimeve bujqësore.

Së pesti, akuakultura.

Së gjashti, turizmi i natyrës dhe turizmi rural tradicional.

Së shtati, shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale.

Së teti, industria e artizanatit dhe punishtet e prodhimeve lokale tradicionale dhe së fundmi, prodhimi dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme.

Përfitues nga IPARD mund të jenë të gjithë fermerët e pajisur me NIPT, Shoqëri të Bashkimit Bujqësor, persona fizikë ose juridikë përfshi kooperativat e regjistruara në QKB. Thirrja e parë për mbështetje pritet që të hapet në fund të nëntorit apo fillim dhjetori. Aplikimet dorëzohen brenda datës 30 janar 2019, në zyrat qendrore të AZHBR-së në Tiranë.

Paketa lehtësuese për agroturizmin fillon efektet më 1 janar 2019

Nga 1 janari 2019, agroturizmi do të ketë një trajtim të ri sa i përket shkallës tatimore në disa taksa specifike. Në mes të këtij viti, Parlamenti kaloi një paketë të dedikuar për disa sektorë, por për agroturizmin, tre ishin ndryshimet thelbësore.

Së pari, bëhet një ndryshim në Tatimin mbi të Ardhurat, ku për këtë sektor, norma e tatimfitimit bëhet 5% për një periudhë 10-vjeçare për të gjitha ato struktura që deri në vitin 2021 do të përfitojnë certifikimin sipas rregullave të miratuara më herët. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës, pas përfitimit të statusit.

Së dyti, ka një ndryshim edhe te ligji “Për taksat vendore” ku tashmë edhe agroturizmi do të përfitojnë nga heqja e detyrimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë. Kjo nismë vjen vetëm pak kohë pas asaj për të nxjerrë nga lista e atyre që paguajnë këtë detyrim Hotel/Resort me pesë yje, status special” – që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarësh. Aktualisht, taksa e ndikimit në infrastrukturë aplikohet për çdo ndërtim të ri. Në rastin kur ky ndërtim është për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit, të cilat nuk destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, industrisë apo përdorim publik, taksa e ndikimit në infrastrukturë është në masën 4% deri në 8% të çmimit të shitjes për metër katror.

Së treti, është trajtimi i diferencuar te Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Sipas ligjit që nis zbatimin nga 1 janari 2019, “shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6% aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, të ofruar brenda strukturave në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si ‘agroturizëm’, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruar në këto struktura.

Personi i tatueshëm, që aplikon shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar 6%, është personi i regjistruar me NIPT/NUIS, vetëm për zhvillimin e veprimtarisë pritëse të certifikuar si ‘agroturizëm’”. Kjo e fundit e përfshin sektorin e agroturizmit në të njëjtin trajtim si sektori i turizmit, i cili trajtohet gjerësisht me TVSH-në 6% për furnizimin e shërbimit të akomodimit, kurse për hotelet me 5 yje, status special, ky regjim përfshin edhe furnizimin me shërbime të tjera brenda strukturës.

 Kuadri ligjor për certifikimin, kushtet se çfarë do të quhet agroturizëm

Agroturizmi nuk ka pasur ndonjëherë vëmendje të veçantë, por në fund të 2017-s dhe në fillim të këtij viti, nisi të lakohej disi më shumë dhe sektori që qëndron mes turizmit dhe bujqësisë u përfshi më në fund në axhendën e qeverisë.

Konkretisht, më 12 janar 2018 do të miratohej edhe vendimi për kriteret që do të shërbenin si bazë për vlerësimin dhe dhënien e certifikatës. Tashmë, jo çdokush mund të “përvetësojë” fjalën agroturizëm në biznesin e tij, nëse nuk plotëson kushtet e vendosura.

Ndër të tjera, këto kushte përfshijnë madhësinë e fermës. Sipas ligjit, ferma bujqësore duhet të ketë, të paktën, 1 hektar tokë të mbjellë me kultura bujqësore ose, minimalisht, 0,5 hektarë sera. Ferma blegtorale, nga ana tjetër, duhet të mbarështojë, minimalisht, 10 krerë gjedh ose 100 krerë dele/dhi apo 200 krerë shpendë. Te fermat blegtorale klasifikohen edhe stanet.

Agroturizmi mund të zhvillohet edhe në njësi agrokulturore, që kanë si aktivitet përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit e akuakulturës (si p.sh., pika përpunimi të vajit të ullirit, kantina të përpunimit të rrushit/frutave, pika përpunimi të bulmetit/baxho, peshkut, ferma akuakulture etj.). Subjektet që zhvillojnë veprimtarinë pritëse, sipas kushteve të vendosura nga qeveria, duhet të ofrojnë të paktën një nga shërbimet: akomodim, ushqim dhe pije apo veprimtari argëtuese në fermën apo mjedisin përreth.

Subjektet agroturistike mund të ofrojnë edhe akomodimin, por me një kapacitet nga 6 deri në 30 por jo më shumë. I njëjti vendim saktëson se ndërtimet duhet të jenë në harmoni me planet vendore të miratuara dhe të respektojnë karakteristikat e zonës. Ushqimi dhe pijet gjithashtu duhet të bëhen në ambiente të përshtatshme dhe të plotësojnë normat në fuqi për kushtet minimale higjieno-sanitare.

Ushqimi dhe pijet e ofruara në subjektet agroturistike duhet të jenë me origjinë nga ferma (të prodhuara ose të përpunuara në fermë/njësinë agrikulturore), minimalisht në 30% të sasisë së tyre. Nga 30% deri në 70% të produkteve ushqimore/pijeve lejohet të jenë me origjinë lokale, të prodhuara apo të përpunuara nga prodhues lokalë, që kryejnë aktivitet në bashkinë ku ka selinë agroturizmi.

Janë këto disa nga kriteret kyçe për të kaluar fazën e certifikimit, i cili edhe ai pritet të jetë një proces intensiv në pjesën e dytë të vitit, në kushtet kur gjatë pjesës së parë është menduar vetëm për kuadrin rregullator.

Fondet

Skema e granteve IPARD II që vë në dispozicion 94 milionë euro për bujqësinë dhe zhvillimin rural përfshin, mes masave të tjera, edhe masën 7. Kjo e fundit parashikon mbështetje në investime në diversifikimin e ekonomisë në fshat (agroturizëm, turizëm rural, produkte tradicionale etj.), mbështetja në këtë rast arrin deri në 65% të vlerës për investime nga 10 000 euro deri në 400 000 euro/Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb