I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, kryetari i Shoqatës së Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Filip Gjoka ka folur për grandet në bujqësi dhe problemet që hasin kompanitë dhe fermerët në vendin tonë.

Gjoka tha se fatkeqësisht në vendin tonë mbështetja e qeverisë ndaj këtij sektori është qesharak dhe se kompanitë serioze nuk arrijnë dot të përfitojnë nga fondet e IPARD.

“Ka patur raste që prodhimet tona që ishin për eksport për në Maqedoni, duke qëndruar në frigorifer kanë krijuar probleme, ndonjëherë edhe me qëllim. Por nëse krijohen lehtësi, për dy vendet është shumë mirë. Ndërsa përsa i përket heqjes së akcizës së naftës, urojmë të jenë të vërteta, pasi premtimet në fushata elektorale janë të mëdha. Bujqësia jonë ka shumë nevojë për t’i dhënë sa më shumë lehtësi dhe për ta afruar me Kosovën dhe Maqedoninë. Neni 31, eksportuesi ka një peshë të madhe punësimi në zonat rurale, ndërsa fondet e lancuara nga qeveria në 2019 kanë qenë qesharake përsa i përket investimeve në agropërpunim. Nuk arrijnë dot kompanitë serioze të marrin këto investime sepse ose duhet të jesh servil, ose mik deputeti apo ministri. Unë punoj, grumbulloj, eksportoj prej 29 vitesh dhe kur vjen puna nuk jemi të barabartë, pasi asnjë nuk mund të marrë fonde pa dhënë para”-deklaroi Filip Gjoka.

Gjoka nënvizoi se në thirrjen e tretë për aplikime në fondet e programit të IPARD do të ketë reagim si shoqatë për mënyrën se si abuzohet me këto fonde dhe se qeveria nuk mund të vazhdojë të tallet me kompanitë.

“Në thirrjen e tretë për aplikime në fondet e IPARD do të bëj reagim si shoqatë, për të treguar haptaz se cfarë ndodh me këto fonde, kemi mungesë makinerish, fondet kalojnë në kompani që s’janë pjesë e listave, por vetëm duke kopjuar skemat e agropërpunimit të mollës. Kjo ka ndodh dhe në Lezhë, ku ka kapanone që qëndrojnë të mbyllura, apo në Gjirokastër, Lushnje, Malësi të Madhe. Por pyetja që shtrohet sot është se kush udhëheq eksportin në doganë? Është ai që nuk ka marrë fonde dhe mbështetje nga qeveria. Nuk duhet të vazhdohet me talljen ndaj njerëzve të punës, njerëzve të ndershëm. Kemi shumë fermerë që ankohen për prodhimet stoqe, mungon përpunimi, si psh në Laç kompania e bimëve dhe erëzave. Janë 31 kompani dhe fondet nuk duhet të shkojnë vetëm për 2 kompani, siç është rasti i kompanive të krijuara në 2019 dhe që kanë marrë grande. Problemi është se mungojnë edhe konsultat me ekspertët e fushës për të pyetur se çfarë kanë nevojë kompanitë. Ajo çfarë kërkojmë nga politikat 2022-2029 është që të jemi të gjithë të barabartë në konkurrim. Krahas dokumenteve që duhet të plotësohen, nuk duhet të ketë rendesi se kujt partie i përket fermeri. Nga 21% e prodhimit burto që i jep shtetit, financimi i qeverisë është qesharak.”-deklaroi Gjoka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: