TIRANE- Nëse pallati ku banoni ka nevojë për çfarëdolloj ndërhyrje si, një dore boje, suvatim apo rregullim tarrace, njoftoni administratorin të aplikojë nga sot në Bashki për të marrë financim nga fondi për komunitetin. Bashkia është gati të paguaje 50% të shumes totale. Nëse nuk keni administrator, kreu i Bashkisë Veliaj i fton banorët e pallatit të organizohen dhe të zgjedhin asamblenë dhe administratorin e pallatit.

“Sot është dita e parë e hapjes së aplikimeve për investimet në pallate dhe ashtu siç takuam këtu administratorin dhe i propozuam që sot të vijë me një aplikim ose për të veshur pallatin me kapotë, ose për një suva, ose për një bojë, ose për një rregullim tarrace apo çfarëdo lloj investimi, lulishtesh simpatike si kjo në sfond, Bashkia është gati të paguajë me 50%. Ndaj i bëj thirrje të gjithë administratorëve që të paraqiten në bashki. Nëse pallati nuk ka administrator, i ftoj banorët të zgjedhin administratorin, i cili është punëmbaruari i shumë halleve të atij komuniteti, që pastaj edhe Bashkia t’i përgjigjet financiarisht”, tha Veliaj.

“Kërkohet që të bashkëpunojmë të gjithë. Mjafton të paraqiten 50% e banorëve dhe të zgjedhin bordin. Bordi punëson administratorin dhe mandej shërbimet kalojnë nga kryetari i Bashkisë, te administratori i njësisë, te ndërlidhësi i komunitetit dhe te administratori i pallatit. Ky është niveli kapilar i shërbimeve që ëndërrojmë”, tha Veliaj.

Këto deklarata Veliaj i bëri gjatë inspektimit të rrugës “Kajo Karafili”, që falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e sipërmarrjes private, u ndërtua nga e para dhe ofron tashme të gjitha standardet e nevojshme infrastrukturore. Bashkia do të shfrytëzojë periudhën e verës për të shtruar asfalte në të gjitha lagjet e Tiranës. Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve.

“Kemi nisur një sërë investimesh në Njësinë 10. Në shumicën e këtyre netëve, duke filluar nga qershori deri në shtator, do të jemi duke bërë investime, kryesisht asfaltime. Arsyeja pse zgjedhim periudhën e verës është sepse nuk ka shi, sepse moti është i ngrohtë, asfalti ngjit, ndaj kërkoj bashkëpunimin e të gjithë banorëve”, tha Veliaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: