Në kulmin e debateve për koncesionet, Fondi Monetar Ndërkombëtar i tërheq sërish vëmendjen qeverisë duke thënë se projektet infrastrukturore përmes PPP kanë rritur detyrimet ndërkohë që kontrata janë hartuar dobët dhe mund të pengojnë eficencën e investimeve publike.

“Rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi propozoi hapa të mëtejshëm për të kontrolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31 për qind e prodhimit të brendshëm Bruto (që mbulon më shumë se 220 projekte përfshirë koncesionet në energji) në buxhetin e 2019 dokumentet parashikojnë një listë të PPP-ve, potenciale që arrinin në 15 për qind të PBB-së. Në kahun e brendshëm, borxhi publik është i lartë, ndërsa niveli i ulët i kursimeve të brendshme dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë, e rrit varësinë ndaj burimeve të huaja të financimit. Rritja e varësisë nga PPP-të për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale”, deklaron FMN.

Paralelisht me këtë fakt Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar që këto investime duhet t’i nënshtrohen një procedure konkurruese duke vlerësuar nismën e qeverisë për të mos dhënë me koncesione me propozim të pa kërkuara.

“FMN-FMN mirëpret ndryshimet e planifikuara në legjislacionin e PPP për të rritur rolin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si një mbikëqyrës për koston potenciale të këtyre kontratave si një hap i parë pozitiv. Ato duhet të sigurohen përmes një procesi ofertimi konkurrues për të gjithë projektet duke ndaluar kështu pranimin e ofertave të pa kërkuara. Nga ana tjetër shpenzimet vjetore të qeverisë për këto kontrata koncesionare parashikohet që të mbeten nën kufirin ligjor prej 5 %. Ky tavan lë shumë pak vend për projekte të tjera të financuara nga qeveria veçanërisht duke pasur parasysh nevojën për të përfshirë risqet nga detyrimet potenciale”, thekson FMN.

Qeveria ka dorëzuar në kuvend ndryshimet në ligjin për koncesionet. Kështu duke filluar nga 1 Korriku 2019 nuk do të lejohen më të jepen PPP në infrastrukturë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb