SHBA – Sipas një shkrimi të publikuar nga revista amerikane “Forbes”, mediat ndërkombëtare dezinformuan lidhur me tezat e SYRIZA-s në Greqi. “Forbes” shkruan se e ardhmja, jo vetëm e euros, por e gjithë Bashkimit Evropian, varet nga vullneti i qeverive evropiane dhe institucioneve që të negociojnë një marrëveshje te re për Greqinë dhe ekonomitë e tjera problematike.

“Të premten e kaluar, ministri grek i Financave Janis Varufaqis, gjoja refuzoi të bashkëpunojë me trojkën. Ajo ndërkaq që refuzoi në të vërtetë ishte bashkëpunimi me inspektorët e FMN-së, të BQE-së dhe të Komisionit Evropian, që u emëruan për të imponuar një program shtrëngese që shkatërron ekonominë greke”,- shkruan ”Forbes”.
“Gjithashtu të premten refuzimi i qeverisë greke për të pranuar kredi shpëtimi të mëtejshme u interpretua gjerësisht si një prirje për ndërprerjen e pagesës së huave. Ky është një silogjizëm arbitrar, pasi Greqia nuk dëshiron plane të reja shpëtimi që janë antiproduktive në një ekonomi të falimentuar. Dëshiron pra, rinegociimin e borxhit dhe jo suprimimin e tij”. Shkrimi i referohet edhe deklaratës së kryeministrit grek Cipras për agjencinë ”Bloomberg”, sipas të cilit “Greqia angazhohet të paguajë kreditë ndaj BQE-së dhe FMN-së dhe të nënshkruajë marrëveshje me gjithë shtetet e eurozonës që dhanë pjesën më të madhe të huasë ndaj Greqisë”.
Sipas ”Forbes” tezat e SYRIZA-s mund të përmblidhen si më poshtë:
– Greqia nuk ka ndërmend që të largohet nga euro apo BE.
– Greqia nuk ka ndërmend të ndërpresë shërbimin e borxhit kundrejt kreditorëve institucionalë të privilegjuar.
– Greqia angazhohet për vazhdimin e politikave që promovojnë stabilitetin ekonomik dhe rimëkëmbjen e Evropës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: