Llogaritë bankare të personave nën hetim për 613 kg kokainë të kapur në Durrës janë sekuestruar nga Task Forca Speciale.

Sipas burimeve zyrtare, në kuadër të aksioni “Forca e Ligjit” dhe në vijim të hetimeve për asetet me burim kriminal, pas operacionit “Last Snoë” ku u sekuestruan 613 kg kokainë në Portin e Durrësit disa muaj më parë, Task Forca Speciale bëri sekuestrimin e llogarive bankare në emër dhe për llogari të subjekteve “Arbri Garden” shpk dhe “Ecoalmax” shpk.

Vlera totale e sekuestruar është rreth 38 mijë dollarë dhe mbi 10 milion lekë (të reja), që dyshohen si të përfituara nga aktiviteti kriminal i shtetasve të ndaluar nga Policia.

Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, po vijon hetimet intensive për këtë grup të dyshuar që operonte në fushën e trafikimit të drogave të forta.

“Arbri Garden” ka si pronar Arbër Çekajn dhe është kompania që porositi ngarkesën me banane ku u gjet e fshehur kokaina, ndërsa kompania “Ecoalmax” rezulton se ka pronar Selim Çekajn, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Nga një kërkim në QKB, rezulton se dy kompanitë përcaktojnë si zyra qendrore të njëjtin lokacion: “Durres Maminas- Rruga Dytesore Maminas-Durres, Magazine, me nr.pasurie 328/44, zona kadastrale 3796”. Pikërisht në këto magazina efektivët e Policisë sekuestruan drogën.

exoalmax

arbi-garden1

Operacioni ku u kapën 613 kg kokainë u bë më 28 shkurt gjatë natës. Kamioni i ardhur nga Itali në Portin e Durrësit është ndjekur nga oficerët e Policisë deri te magazina ku mblidheshin bananet në Maminas. Më pas është lëshuar edhe urdhër-ndalimi ndaj pronarit të firmës “Arbri Garden” që porositi ngarkesën, i cili u arrestua në Gjermani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: