ELBASAN- Që prej ditës së djeshme Policisë e Shtetit, bashkë me atë lokale, RENEA dhe FNSH kanë zbarkuar në Elbasan në kuadër të aksionit policor ‘Forca e Ligjit’.

Kështu pas shkatërrimit të një grupi të strukturuar kriminal, ku u finalizua me arrestimin e 8 personave, ku u sekuestrua armë dhe drogë, gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se RENEA dhe FNSH kanë qenë sërish në aksion gjatë natës.

Mësohet se po kalohen në ‘sitë’ pronat e Çapjave dhe Çelajve, dy fiseve të njohur për policinë e Elbasanit dhe jo vetëm, pas implikimeve në disa ngjarje kriminale dhe sagës së gjatë të hakmarrjeve mes tyre. Bezat bën me dije se RENEA ndodhet aktualisht në tregun agro-ushqimor dhe në disa biznese të familjes Çapja. Kontrolli në fjalë vjen pas plagosjes së 23-vjeçarit Raif Çaushllarit, njihet si mik i fisit Çapja.

Kujtojmë se në aksionin e djeshëm u sekuestruan 70 kallëpe me tritol, armë zjarri dhe lëndë narkotike, ndërsa 8 të arrestuarit ishin nga Pogradeci dhe Gramshi.

Policia përdori metoda proaktive për këtë operacion, duke infiltruar kështu në grup edhe agjentë civilë, ndërsa operacioni u drejtua nga drejtori i komanduar i Policisë së Elbasanit, Altin Qato.
Kujtojmë se aksioni vjen fill pas vizitës dje në Elbasan të kryeprokurores së Përgjithshme, Arta Marku, e cila dha një mesazh të qartë gjatë takimit që zhvilloi me prokurorët. Ajo pohoi se Elbasani është pikë e “nxehtë” për grupet e krimit, ndaj prokurorët duhet të hetojnë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb