TIRANE– Kryeministri Edi Rama thekson se ka ikur koha kur kishte të paprekshëm nga ligji. Në aktivitetin “Forca e Ligjit në veprim, arritje e sfida”, tha se Policia e Shtetit e ka zeruar paprekshmërinë, duke u shprehur se tashmë ligji vepron njësoj për të gjithë.

“Gjykatat janë përgjegjëse për të garantuar ndëshkueshmërinë e kujtdo qoftë. Nëse flasim për prekshmërinë, ka qenë vetëm 4 vite më parë koha kur shqiptarët ishin të ndarë në të prekshëm e të paprekshëm. Para 4 vitesh semaforët ishin të kuq për njerëzit e zakonshëm, dhe gjithmonë jeshil për të pushtetshmit. Ka qenë vetëm 4 vite më parë koha kur padallueshmëria e ngjyrave politike në zbatimin e ligjit nga policia ishte një utopi. Vetëm 4 vite më parë operacionet e policisë së shtetit për të goditur kriminele me profil të lartë informoheshin nga kupola e ministrisë së brendshme. 4 vite më parë nuk mund të imagjinohej se një ministër i Brendshëm që duhet të fliste para drejtësisë, të mos merrte mbrojtje politike.

Atë çka ne kemi shpallur si objektiv 5 vite më parë do ta realizojmë. Policia e Shtetit shqiptar, nga një trupë që ishte më e vjetra, më e keqshkolluara, më e keqpaguara, dhe më e keqpajisura në rajon, do të ndryshojë. Do të përmirësohen standardet. Sot do të preket çdo njëri që i bie ndesh ligjit. Do të zerohet paprekshmëria. Po kështu do të ndëshkohet çdo person që shkel ligjin. Ne jemi të vetëdijshëm dhe është në sytë e të gjithëve, se shkatërrimi i procesit ligjzbatues është bërë normë. Janë qindra raste, kur kriminele të arrestuar janë liruar nga gjykata, dhe kanë përsëritur krime.

Ne jemi po ashtu të vetëdijshëm se ky nuk është një proces që mund të ndodhë në një hark të shkurtër kohe, por është një proces pa kthim. Policia e Shtetit e ka garantuar se paprekshmëria e individit në Shqipëri, nuk ekziston më”, u shpreh kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb