FIER- 1 milion euro pasuri të paluajtshme të përfituara nga veprimtaria kriminale janë sekuestruar në Fier në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Pasuria ishte në emër të një personazhi të njohur nga policia, i cili ndodhet në burg në shtetin italian për trafik droge.

Ndërkaq në Shqipëri ndaj tij ka një hetim të hapur për pastrim parash.

Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, gjurmimit, gjetjes, sekuestrimit me qëllim konfiskimi të aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, është hapur procedimi penal i regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga Neni 287 i Kodit Penal për hetime të pasurisë së shtetasit Vangjel Ziaj (Arben Gropa).

Në përfundim të veprimeve të kryera, nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u zbatua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për sekuestro preventive në lidhje me pasuritë e shtetasit:
– Vangjel Ziaj, 50 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas është dënuar nga autoritetet italiane me 32 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Trafiku i narkotikëve” dhe është duke vuajtur dënimin në Itali.

Pasuritë e sekuestruara kapin vlerën e 1 milion euro:
• Kompleks shërbimesh “Pelikani” i ndodhur në lagjen “Sheq i Madh” Fier.
• Një apartament me sipërfaqe 70 metra katror në lagjen “Kryengritja e Fierit”.
• Një automjet i markës “Benz”.

Policia vijon punën për identifikimin e pasurive të tjera që mund të ketë ky shtetas dhe personat e lidhur me të.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb