Forcat afgane të sigurisë pretenduan sot se kanë vrarë rreth 300 kryengritës talebanë, përfshirë guvernatorin nën hije të grupit për provincën veriore Faryab në kufi me Turkmenistanin.

Korpusi 209 Shaheen i Ushtrisë Kombëtare Afgane tha në një deklaratë se 286 talibanë u vranë dhe 219 të tjerë u plagosën në operacionet në Faryab. Gjithashtu thuhet se katër qarqe të paqëndrueshme të provincës: Andkhoy, Khaja Sabz Posh, Qaisar dhe Almaar, janë pastruar nga kryengritësit.

Abdul Kareem, një zëdhënës i komandës së policisë Faryab,  tha se në mesin e të vrarëve ishte edhe Wakil Ahmad, një komandant famëkeq i talibanëve i njohur si Mullah Nazim dhe që shërbente si guvernator nën hije për grupin.

Megjithatë, talibanët hodhën poshtë pretendimin, ndërsa një zëdhënës i tyre tha se raportet ishin “të pabazuara”.

“Ne e refuzojmë këtë propagandë. Guvernatori i Emirateve Islamike për Faryab është i shëndetshëm dhe është i zënë me detyrat e tij të lidhura me ‘xhihadin'”, tha Qari Yosuf Ahmadi në një deklaratë.

Këto ngjarje erdhën disa ditë para se talebanët dhe përfaqësuesit e qeverisë afgane të rinisin bisedimet ndër-afgane më 5 janar në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Bisedimet kanë për qëllim t’i japin fund konfliktit gati dy dekada të gjatë, pas një marrëveshje historike paqeje midis SHBA-së dhe talibanëve të arritur shkurtin e kaluar që kërkon tërheqjen e të gjithë trupave të huaja nga Afganistani.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb