Kur trupat irakiane filluan operacionet për të rimarrë Mosulin muajin e kaluar, avionët amerikanë F-22 Raptor ishin të parët që goditën objektivat e ISIS në atë qytet. Por angazhimi i pilotëve amerikanë jashtë vendit ka krijuar një krizë brenda Shteteve të Bashkuara. Gjeneralë të lartë të Forcave Ajrore pohojnë në intervista me korrespondenten e Zërit të Amerikës Carla Babb se nëse nuk merren masa, kjo krizë mund të dobësojë kapacitetet e vijës së parë në të ardhmen.

Thirrjet për mbështetje nga forcat ajrore në operacione të ndryshme në botë kanë mobilizuar në mënyrë të përsëritur pilotët amerikanë. Për përgatitjen e çdo piloti shpenzohen vite të tëra dhe miliona dollarë. Pilotët sot drejtojnë mjete të pajisura me teknologji të avancuar që janë shndërruar në super-kompjuterë.

Mund të ekzistojë bindja se ka plot pilotë që dinë të fluturojnë avionë luftarakë të tipit F-22 Raptors, por realiteti është ndryshe. Forcat Ajrore amerikane janë të autorizuara të kenë 3 500 pilotë për avionë luftarakë, por aktualisht kanë 725 më pak.

Gjeneral Majori Scott Vander Hamm dhe Gjeneral Lejtnanti John Cooper janë përgjegjës për menaxhimin e kontingjentit të pilotëve dhe teknikëve që mirëmbajnë avionët luftarakë.

Ata dhanë për herë të parë një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës mbi këtë krizë në rritje.

“Sa kohë mund të vazhdojë kjo situatë? Deri kur mund ta menaxhoni para se të bëhet e papërballueshme,” pyet gazetarja e Zërit të Amerikës.

“Do të thosha se kemi mbërritur në atë pikë. Situata nuk pret më. Kemi një numër të pamjaftueshëm skuadrash për të përballuar nevojat e komandantëve,” thotë Gjeneral Majori Scott Vander Hamm.

Reduktimet e fundit ishin rezultat i shkurtimeve buxhetore pas tërheqjes së forcave amerikane nga Iraku në 2010 dhe në pritje për tërheqjen nga Afganistani.

“Koeficienti i ndryshimit është intensiteti. Nuk pritej që të dilte në skenë ISIS. Planet ishin që të tërhiqeshim nga rajoni,” thotë Gjeneral Lejtnanti John Cooper.

Në bazën ajrore Langley-Eustis pilotët thonë se shërbimet e gjata dhe të shpeshta kanë shkatërruar moralin në radhët e ushtarakëve.

“Kryenim shërbime 45 ditëshe. Pastaj shërbimet u zgjatën dhe u bënë 90 ditëshe, pastaj 120 ditëshe. Tani shërbimet zgjasin gjashtë muaj dhe për pilotët në pozicione kyçe deri edhe një vit,” thotë një kolonel lejtnant që drejton avionë luftarakë, i njohur me pseudonimin “Buz”.

Shërbimet e gjata nuk janë e vetmja arsye që kanë shtyrë shumë pilotë të braktisin karrierën ushtarake. Kur kthehen nga shërbimet, pilotët kanë punë intensive me dokumente e formularë që duhet të plotësojnë përveç stërvitjes për të përmirësuar aftësitë e drejtimit të avionit.

Forcat ajrore po stërvisin 135 pilotë më shumë këtë vit se dy vjet më parë por këto përpjekje nuk janë të mjaftueshme pasi vetëm 40% e kontigjentit të mëparshëm ka pranuar të rinovojë kontratën për të vazhduar shërbimin në 2016. Situata është kritike.

Numri i pamjaftueshëm i pilotëve luftarakë përkon me rritjen e kërkesës për pilotë nga kompani private fluturimesh, me ofertën për orar më të shkurtër, me të parashikueshëm dhe mundësinë për pagë më të lartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb