Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë vijuar operacionin “Bluzat e bardha” për pastrimin e rivierës shqiptare, për sezonin turistik veror.

Vetëm në ditët e para të këtij operacioni, FA kanë bërë të mundur heqjen e dhjetëra tonë mbeturinash nga akset rrugore të pjesës më të bukur të bregdetit shqiptar.

Të ndarë në dy task – forca, rreth 500 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë po pastrojnë akset rrugore përgjatë rivierës, që nga Vlora deri në Butrint.

Task – forca e parë e përbërë nga rreth 200 efektivë të Shkollës së Trupës në Bunavi, Forcës Detare dhe asaj Ajrore, po pastrojnë segmentin rrugor nga Vlora deri në Llogora, përfshirë plazhin e Orikumit.

Aksi rrugor nga Palasa deri në Butrint, por edhe rrugët dytësore që të çojnë në bregdet, po pastrohen nga task – forca e dytë e përbërë nga 300 efektivë të batalionit Komando, batalionit të parë të këmbësorisë në Zall-Herr dhe batalionit të tretë të këmbësorisë në Poshnje, Berat.

Gjithashtu efektivët e angazhuar në këtë operacion mbështeten nga mbi 65 mjete të rënda të FA që ndihmojnë në pastrimin e masivëve të mbeturinave dhe transportin e tyre nëpër vendgrumbullimet.

Gjatë inspektimit të punës së në terren, gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandanti i Forcës Tokësore, e cila po mban peshën kryesore të këtij operacioni, shprehu rëndësinë që ka ky aksion i FA, në radhë të parë për të sensibilizuar qytetarët, por edhe për të ndihmuar në pastrimin e zonave turistike.

Operacioni i Forcave të Armatosura për sensibilizimin e qytetarëve dhe pastrimin e akseve rrugore përgjatë rivierës ka nisur prej disa ditësh dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb