Ka nisur fushata e rekrutimeve për ushtarë/detarë aktiv në Forcat e Armatosura. Në këtë fazë do të rekrutohen 350 të reja dhe të rinj nga e gjithë Shqipëria, të cilët do të kenë mundësinë të jenë pjesë e strukturave të FA si dhe do të kenë edhe një punë të sigurt.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, i shoqëruar nga Komandanti i QPR-së (Qendrës së Personel Rekrutimit) Kolonel Leonard Çoku, ishin në qytetin e Lezhës dhe Shkodrës për të promovuar dhe sensibilizuar te pushteti vendor rëndësinë që ka rekrutimi i të rinjve të këtyre qarqeve në FA.

Zv. Ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi zhvilloi një takim pune në prefekturën e Shkodrës me përfaqësues të qarkut dhe kryetaren e bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi si dhe një bashkëbisedim edhe me prefektin e Qarkut të Lezhës, Eduard Ndreca, duke evidentuar rëndësinë e kësaj fushate, përmes të cilës shumë të rinj dhe të reja do të kenë mundësinë dhe nderin të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

“Ne kemi një Batalion Këmbësorie në Vaun e Dejës, të cilin duam ta plotësojmë tashmë me djem dhe vajza të reja që plotësojnë plotësisht kriteret e rekrutimit në FA të Republikës së Shqipërisë”, tha Koçi. Kjo është faza e dytë e planit të rekrutimit për vitin 2016.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb