KURBIN- Forcat e Armatosura përfunduan ngritjen e një ure “Bejli” në fshatin Skuraj të Kurbinit, e cila u vjen u ndihmë 6 fshatrave në këtë zonë, ndërsa Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka asistuar në punimet për ngritjen e urës.

Në ceremoninë e përurimit të urës “Bejli” më zonën e Skurajt ishin edhe drejtues të pushtetit vendor të qarkut të Lezhës, ish-deputeti i zonës Arben Ndoka, komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Fatmir Lokaj, nxënës dhe banorë të zonës etj.

Lajmi bëhet i ditur nga deklarata për mediat e Ministrisë Mbrojtjes, të marten në mesditë.

Ministrja Kodheli, pasi u njoh nga afër me punimet për ngritjen e kësaj ure, theksoi se “jam e lumtur që marr pjesë në përurimin e kësaj ure, e cila u ngrit me fondin që akordoi qeveria shqiptare dhe me kontributin e forcave xheniere të Forcave tona të Armatosura”.

“Ura do t’i shërbejë banorëve të kësaj zone të mrekullueshme dhe gjej rastin të falënderoj drejtuesit e pushtetit vendor dhe banorët e zonës për bashkëpunimin e ngushtë me forcat ushtarake që punuan për ndërtimin e saj në një kohë rekord, tha Kodheli. Gjithashtu, ministrja Kodheli, shprehu bindjen e saj dhe garantoi banorët e zones se, “do të shihemi përsëri për punë të tjera të mira në shërbim të komunitetit”.

Ura u shemb pothuajse një vit më parë si rezultat i reshjeve të dendura të shiut dhe, fatkeqësisht, si rezultat i kësaj humbi jetën dhe një banorë i kësaj zone.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb