Forcat e liderit të milicëve të armatosur jolegjitim të Khalifa Haftarit në lindje të Libisë, përkundër thirrjes për armëpushim në Konferencën e Berlinit, njoftuan se kryeqytetin Tripoli dhe zonën përeth tij e kanë shpallur “zonë të ndaluar për fluturime” si dhe kanë kërcënuar se do të godasin avionët civilë që fluturojnë në rajon.

Ahmed al-Mismari, zëdhënësi i Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA) të kryesuar nga Haftari, në një konferencë për media të publikuar nëpërmjet llogarisë së medias sociale, njoftoi se kanë e shpallur zonë të ndaluar për fluturim territorin i cili përfshin qytetin Giryan (Gharyan) 120 kilometra në jug të kryeqytetit, qytetin Tarhuna 90 kilometra në juglindje të kryeqytetit, aeroportin Mitiga në kryeqytet si dhe hapësirën që shtrihet deri në bregdetin e Tripolit.

Pasi tha se do të konsiderojnë “objektiv legjitim” të gjithë avionët civilë dhe ushtarakë brenda kësaj zone, përfshirë edhe aeroportin Mitiga i cili është dera e vetme e kryeqytetit që hapet për botën, Mismari theksoi se forcat ajrore dhe sistemet e mbrojtjes ajrore në rajon kanë filluar zbatimin e urdhrit për ndalesën e fluturimeve.

Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e Libisë me legjitimitet ndërkombëtar deklaroi sot se forcat e Haftarit sulmuan aeroportin Mitiga në Tripoli me gjashtë raketa “Grad”.

Mohamed Qanounu, zëdhënësi i GNA-së, në një deklaratë me shkrim tërhoqi vëmendjen se milicët e Haftarit kanë shkelur shumë herë armëpushimin dhe se sulmi kërcënon në mënyrë të hapur trafikun në aeroport.

Pas sulmit në aeroport u shënuan ndërprerje të udhëtimeve, ndërkohë që avionët kanë kryer ulje me vonesë.

Në Konferencën për Libinë të zhvilluar më 19 janar në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, palëve iu bë thirrje për vazhdimin e armëpushimit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb