IRAK-Forcat irakiane të sigurisë vazhduan sot ofensivën e tyre për të rimarrë kontrollin e qytetit të Tikritit. Luftëtarët e grupit të vetë-quajtur Shteti Islamik janë të rrethuar dhe sipas njoftimeve, kanë filluar të humbasin terren.

Zyrtarët në Bagdad vazhdojnë të shprehin besimin se së shpejti do ta marrin plotësisht kontrollin e qytetit, me vlera strategjike dhe simbolike, si qyteti i lindjes së ish-udhëheqësit irakian Saddam Hussein.

Rreth 30 mijë trupa irakiane dhe forca të milicisë shi’ite me mbështetjen e Iranit kanë rrethuar qytetin dhe kanë rimarrë kontrollin e disa zonave, megjithëse mbetet e paqartë se deri ku kanë përparuar trupat.

Ofensiva në shumë fronte, tani në javën e saj të dytë, është ngadalësuar si rezultat i kundërpërgjigjes së luftëtarëve të Shtetit Islamik. Por Ministri i Mbrojtjes Khaled al-Obeidi thotë se operacioni mund të hyjë shpejt në një fazë të rëndësishme.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: