Forcat ruse hodhën disa raketa në qytetin Zaporizhzhia në Ukrainën jugore të enjten, tha Oleksandr Starukh, kreu i administratës ushtarake rajonale të Zaporizhzhia, në një postim në Telegram.

“Okupatorët kanë lëshuar raketa në qendrën rajonale, duke synuar objektet e infrastrukturës. Shtrirja e shkatërrimit dhe viktimave po sqarohet” tha Starukh, raporton CNN.

Ai tha se zjarret shpërthyen në qytetin e kontrolluar nga Ukraina si rezultat i sulmit dhe “ndërtesat e banimit u shkatërruan”.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të bashkisë së Zaporizhzhia, Anatoly Kurtev, tha gjithashtu se ndërtesat e banimit ishin djegur dhe se se tetë persona ishin shtruar në spital në një postim në Telegram të enjten.

Një grua vdiq dhe të paktën pesë njerëz u bllokuan në rrënoja, tha Oleksandr Starukh, kreu i administratës ushtarake rajonale.

“Shumë njerëz u shpëtuan. Mes tyre është edhe një vajzë 3-vjeçare. Fëmija u shtrua në spital. Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar në vendngjarje”, thuhet në postim.

Zaporizhzhia është një nga rajonet e Ukrainës që Rusia pretendon se e ka aneksuar – në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe protestat e qeverive perëndimore.

Qyteti juglindor i Zaporizhzhia ndodhet përgjatë lumit Dnieper, 120 kilometra (75 milje) në veri të termocentralit bërthamor që mban emrin e tij dhe mbetet nën kontrollin ushtarak rus.

Rusia ka refuzuar të qartësojë kufijtë e territoreve që pretendon se i ka aneksuar dhe nuk është as në kontroll të plotë të këtyre rajoneve – me forcat e Kievit që bëjnë përparime të shpejta në kundërsulmimin e tyre.

Forcat ruse kanë kontrolluar termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia për muaj të tërë dhe zona ka pasur luftime të ashpra në javët e fundit. Konfrontimi mbi statusin e termocentralit – të cilin Moska tani e pretendon si pronë federale ruse – dhe bombardimet që kanë dëmtuar disa instalime atje, kanë bërë që mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së të ndërhyjë: Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) postoi të mërkurën në Twitter se po udhëtonte urgjentisht për në Kiev.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb