Ndeshja e parë e këtij sezoni të ri të Superligës e luajtur në Korçë ndërmjet Skënderbeut dhe Partizanit ka përfunduar me rezultatin 1-0.

Një 90-t minutësh shumë i dyluftuar ku nuk munguan as incidentet, pasi në një moment tifozët e të dy skuadrave hynë në fushë duke u përleshur me njëra-tjetërn.

Gjithsesi rikthehemi te loja aty ku në pjesën e parë vendasit e drejtuar nga Orges Shehi ishin më kërkues, por në çdo tentativë gjetën të gatshëm Alban Hoxhën.

Në fraksionin e dytë të lojës Partizani u shfaq më mirë se korçarët. Madje në minutën e 84-r ‘demat’ i shkuan shumë pranë golit, me Malën që humbi rastin më të mirë të ndeshjes, ballë për ballë me portierin Teqja.

Kur dukej se gjithçka do përfundonte, në minutën e 2 të kohës shytesë Skënderbeu fiton një penallti, që shndërrohet në gol nga Muzaka i cili i jep 3 pikët e para skuadrës së tij.

E nis me humbje aventurën në Superligë trajneri Gega, ndërsa një debutim për t’u mbajtur mend për Shehin.

Skënderbeu 1-0 Partizani

Minutë pas minute

90’+5′ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Skënderbeut.

90’+2′ GOOOL Skënderbeu, shënon Muzaka. Penallti për Skënderbeun, e fiton Bregu pas një kontakti me Hoxhën. Muzaka gjuan dhe realizon golin e fitores.

88′ Ndryshimi i tretë dhe i fundit për Skënderbeun, në fushë edhe Oto Xhon.

87′ Dy gjuajtje radhazi të Partizanit nga Mensah, por mbrojtja ndalon që goditjet të shkojnë në portë.

84′ Mala shfaqet para Teqjes dhe shpërdoron gjithçka duke mos shënuar edhe pse në pozicion të favorshëm, duke mos devijuar si duhet topin.

73′ Ndeshja fillon me një goditje dënimi të Partizanit, me Telushin i cili gjuan fort dhe Teqja nuk është shumë i vëmendshëm dhe devijon me vështirësi sferën.

73′ Rifillon ndeshja në momentin ku u ndërpre pas qetësimit të tifozëve në tribuna, pas 15 minutash ndërprerje.

72′ Ndërpritet ndeshja. Tifozët e Partizanit kanë goditur ambulancën dhe zjarrfikësen ndërsa kanë zbritur në fushën e lojës duke kapërcyer kangjellat. Tifozët e Skënderbeut kanë kapërcyer rrethimin dhe vërshojnë drejt tribunës së të kuqve duke nisur një incident masiv.

71′ Ndërprerje të shumta të lojës për dëmtime pas përplasjeve mes lojtarëve të të dy skuadrave.

69′ Gjuajtje e fortë e Muzakës nga distanca, topi përfundon shumë larg kuadratit.

62′ Dy minuta ndërprerje për fishekzjarrë tymues nga tifozët e Skënderbeut.

59′ Kombinim spektakolar mes Bregut dhe Abazit në krahun e majtë të sulmit, aksioni nuk finalizohet me saktësi nga Krasniqi, me Hoxhën që kontrollon me qetësi.

56′ Dy zëvendësime të menjëhershme për Partizanin, në fushë Mensah dhe Bardhi. Asani dhe Progni u lënë vendin në fushë.

49′ Harkim nga e majta i Demte, Krasniqi nuk arrin të devijojë para Hoxhës i cili kontrollon topin dhe pastaj pëson faull nga sulmuesi i Skënderbeut,.

47′ Dejvi Bregu merr një pasim të gjatë në zonë nga Radas, por Ibrahimi ndërhyn dhe vlonjati rrëzohet. Protestojnë korçarët për faull, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

46′ Nis pjesa e dytë

45+2′ Përfundon pjesa e parë

40′ Karton i verdhë për dyshen Asani-bregu që nuk kursejnë ‘komplimentet” ndaj njëri-tjetrit. Hamiti i qetëson duke i treguar të dyve kartonin.

39’ Edhe Trashi provon me një goditje dënimi nga e djathta, duke e nisur me saktësi topin drejt portës por Teqja është i vëmendshëm.

37′ Goditje dënimi për Skënderbeun, Vangjeli dhe Gripshi e ekzekutojnë me skemë duke hedhur më pak topin në qendër të zonës, por Krasniqi nuk arrin të gjuajë në portë edhe pse në pozicion të favorshëm.

35′ Asani shfaqet në krahun e djathtë dhe harkon në zonë por Teqja është në pozicion dhe kontrollon pa probleme.

28′ Muzaka i shmanget mbulimit të Trashit dhe Atandës duke dalë i vetëm para Hoxhës, por gardiani i Partizanit del mirë dhe bllokon gjuajtjen e mesfushorit.

26′ Tani është Skënderbeu që ka marrë kontrollin e lojës dhe qarkullon më shumë topin, ndërsa Partizani i kthehet taktikës me kundërsulme të shpejta.

20′ Bregu hyn në zonë dhe mundohet të gjejë hapësirë për të gjuajtur, por i hiqet topi nga këmbët pas një ndërhyrje të saktë të Hilës.

18′ Gjuajtje e fortë e Muzakës në hyrje të zonës, përsëri e pasaktë dhe nuk gjen katërkëndorin e Hoxhës.

17′ Edhe Partizani provon me një goditje dënimi, por topi i harkuar në zonë nga Trashi largohet nga Vangjeli i cili spastron zonën.

12′ Goditje dënimi për Skënderbeun, provon Radas por gjuajtja e tij përfundon jashtë kuadratit.

6′ top i gjatë nga prapavija e Partizanit për Prognin i cili shfaqet para Teqjes, por ndalohet nga vijërojtësi për pozicion jashtë loje.

4′ Dy skuadrat tregohen shumë të kujdesshme që në minutat e para, për të mos lënë asnjë hapësirë për kundërshtarët.

1′ Ka nisur takimi

SKËNDERBEU-PARTIZANI ORA 19:45

SKËNDERBEU: Teqja, Radas, Vangjeli, Abazi, Aliti, Muzaka, Dita, Demte, Gripshi, Bregu, Krasniqi.
Trajner: O.Shehi

PARTIZANI: Hoxha, Atanda, Ibrahimi, Belica, Trashi, Telushi, Hila, Asani, Mala, Progni, Hebaj.

Trajner: S.Gega

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb