Java e katërt e Kategorisë Superiore ka regjistruar bilancin historik të vetëm një goli në 5 takime të luajtura ndaj në formacionin më dobët të javës ka përfunduar pikërisht portieri që e pësoi këtë gol, Miraka i Luftëtarit. Ndonëse ndaj Skënderbeut ai realizoi disa pritje të tjera për të mbajtur në lojë skuadrën e tij, i mbetet “njollë në biografi” ai gol i vetëm i pësuar në këtë javë historike.

Në rreshtimin 3-4-3 të ekipit më të dobët, mbrojtja përbëhet nga Rrapaj i Luftëtarit, Prençi i Korabit që u ndëshkua me karton të kuq ndaj Vllaznisë, si dhe Cicmil, pikërisht nga ekipi shkodran. Për të tre, paraqitjet individuale kanë qenë larg pritshmërisë në këtë javë dhe kanë vënë në rrezik jo pak ekipet përkatëse.

Nëse ekipet nuk kanë shënuar, gisht kanë edhe mesfushorët të cilët nuk u kanë dhënë thuajse asnjëherë sulmuesve pasimin e duhur apo nuk i kanë dhënë siguri ekipeve në prapavijë. Bie në sy sidomos paraqitja e Bertonit në derbi, pasi me largimin e italianit nga fusha për të aktivizuar Ramadanin, loja e të kuqve ndryshoi plotësisht dhe Partizanit jo vetëm bllokoi Tiranën, por edhe krijoi më shumë mundësi shënimi.

Në sulm janë tre emra tek të cilët varen fatet e tre skuadrave: Taubate, Edeh dhe Bregu. Nëse këta lojtarë nuk arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës, atëherë lufta për mbijetesë e Laçit dhe Luftëtarit në këtë sezon do të jetë më e komplikuar, ndërsa arritja e objektivit të Ligës së Europës nga Tirana do të jetë thuajse i pamundur.

Trajneri është Mlladen Milinkoviç. Ndoshta në mënyrë të padrejtë, pasi të humbasësh ndaj Skënderbeut, për më tepër në Korçë, nuk është ndonjë gjë e madhe, por Luftëtari është skuadra e vetme që pësoi disfatë. Trajneri Milinkoviç kishte vendosur mirë ekipin në fushë, por diferencën me kampionët e bëri cilësia. Në fund bluzinjtë dolën pa pikë, ndryshe nga skuadrat e tjera që siguruan të paktën një për të vazhduar rrugën drejt objektivave të tyre./panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb