TIRANE- I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, analisti Andi Bushati tha se iniciativa e kryeministrit për paketën anti-shpifje dhe për formalizmin e portaleve është propagandë. Bushati u shpreh se në shënjestër është e vërteta dhe jo portalet. Sipas tij, kryeministri Rama hap çështje të tjera për të shmangur skandalet e kësaj qeverie dhe është një debat shterpë.

“Në shënjestër është e vërteta, jo portalet. Ishim në sfondin e skandalit të Xhisielës dhe Babales. Prokuroria ishte e përfshirë dhe policia dilte e zbuluar. Përballë publikut dilte kriminalizmi. Përballë këtyre Rama hap dy çështje të tjera. Formalizimi i portaleve mendoj se është për të shmangur skandalet.  Me urdhër të Ramës del një listë me media online të cilat i kishin letrat në rregull, por dalin si jo në rregull. Ato media kanë marrë domenin, janë regjistruar.  Ky është një debat shterpë për të shmangur çështjet e tjera. Shpifja tani dënohet dhe ne kemi ligje të rënda për të dënuar shpifjen. Ky debat është shterpë për të ndarë opinionin se kush janë shpifësit dhe kush janë në anën e të vërtetës”-tha Bushati, raporton ‘BalkanWeb’.

I pyetur nëse portalet online duhet ta shfaqin diku niptin e tyre, Bushati tha se media nuk është bulmetore dhe sipas tij Rilindja e ka harxhuar të gjithë arsenalin e propagandës.

“Media nuk është bulmetore që të varë tek cepi dyqanit etiketën. Keni parë ndonjë media jashtë vendit të bëjnë një gjë të tillë. Formalizimi i portaleve mendoj se bëhet për të provokuar debat shterpë. Rilindja e ka harxhuar të gjithë arsenalin e propagandës. Pasi ka humbur betejën me realitetin, Rama po humbet edhe betejën e propagandës. Në asnjë vend të botës kryeministri nuk u flet policëve për shpifjen. Mbyllja e mediave online është proces i vështirë dhe platforma kundër shpifjes është e pakuptimtë. Nuk besoj se do ngrihet strukture serioze kundër shpifjes, por më duket si një fishekzjarr”- u shpreh Andi Bushati.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb