Delegacionet e Turqisë, Rusisë dhe Iranit në takimin e zhvilluar në Gjenevë nën vëzhgimin e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë vendosur për krijimin e një grupi të përbashkët pune për bisedimet në lidhje me komitetin kushtetues në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga burimet diplomatike, mësohet se në bisedimet për komitetin kushtetues të zhvilluar në Gjenevë të Zvicrës gjatë 10-11 shtatorit është vendosur krijimi i grupit të punës për kushtetutën e Sirisë.

Ky grup do të përbëhet nga ekspertë të tre vendeve dhe do të ketë funksionin për të lehtësuar negociatat me OKB-në në lidhje me formimin e komitetit kushtetues.

Përfaqësuesi special i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, ditën e premte do zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e Egjiptit, Francës, Gjermanisë, Jordanisë, Arabisë Saudite, Britanisë dhe SHBA-ve, të cilët Mistura i ka përshkruar përfaqësuesit e “grupit të vogël”.

Ndërkohë De Mistura më 18 shtator do të mbajë një fjalim në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), ku ai do të japë informacione në lidhje me bisedimet që kanë zgjatur për dy ditë.

Në bisedimet e zhvilluara në kuadër të rezolutës me nr. 2254 të KS-OKB-së me qëllim për t’i dhënë fund luftës civile në Siri e cila vazhdon që prej 7 viteve, përfshihen 4 tema kryesore të cilat janë menaxhimi i tranzicionit, kushtetuta, zgjedhjet dhe lufta kundër terrorizmit.

Në Kongresin e Dialogut Kombëtar të Sirisë i cili u zhvilluar më 29-30 janar në Soçi ishte vendosur formimi i një komitetit që do të hartonte kushtetutën e re të Sirisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: