Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Pas përfundimit të regjistrimit të fituesve pranë sekretarive mësimore, i cili u mbyll në datën 19 shtator, Ministria e Arsimit dhe Sportit do të bëjë rishpërndarjen e kuotave të mbetura bosh, për të cilat mund të aplikohet përmes Formularit A3. Sipas udhëzimit të ministres, Lindita Nikolla, kandidimi do të bëhet online, nga data 24 shtator deri në orën 24:00 të 29 shtatorit.


Të drejtën për të kandiduar përmes Formularit A3 e kanë kandidatët që kanë konkurruar në raundin e parë me Formularin A2 dhe dëshirojnë të vazhdojnë garën për të qenë fitues ose për të kaluar në një preferencë më të lartë. Udhëzimi saktëson se ata nuk plotësojnë formular të ri, por vetëm shprehin vullnetin të vazhdojnë konkurrimin online. Ndërkohë që, nëse në përfundim, ai që është shpallur fitues në raundin e parë, nuk arrin të klasifikohet në një preferencë më të lartë, mbetet fitues në programin ku është regjistruar dhe vijon studimet e ciklit të parë.


Të drejtën për të aplikuar përmes Formularit A3 e kanë edhe ata kandidatë që nuk kanë konkurruar më parë me Formularin A2, por që në këtë raund do të konkurrojnë për herë të parë. Në këtë grup përfshihen kandidatët që: kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar Formularin A2; kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2015, dhe ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe, mbi bazën e ekuivalentimit të rezultateve të shkollës së mesme, kanë fituar të drejtën të aplikojnë për vazhdimin e studimeve universitare të ciklit të parë në IAL-të publike.


Nga kandidatët e kategorive të sipërcituara, mund të aplikojnë në këtë raund, vetëm kandidatët që kanë plotësuar Formularin A1Z në sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2015. Po ashtu, ata kandidatë që nuk kanë plotësuar Formularin A2, përpara se të bëjnë përzgjedhjen e preferencave me anën e Formularit A3, duhet të bëjnë pagesën prej 1.600 lekësh në një nga zyrat e Postës Shqiptare apo bankave të nivelit të dytë (formulari për arkëtim gjendet në faqen zyrtare të AKP-së) dhe me mandatpagesën e kryer duhet të paraqiten në shkollën ku kanë kryer aplikimin me Formularin A1Z për të hedhur në sistemin informatik notën mesatare. Në të kundërt, sistemi informatik i Maturës Shtetërore nuk lejon aplikimin me Formularin A3.

Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” u vjen në ndihmë këtyre kandidatëve, duke botuar pikët e fituesit të fundit, në fazën e dytë të vitit të kaluar, duke i orientuar në këtë mënyrë rreth shanseve që kanë për të përfituar një degë studimi. Çdokush mund të krahasojë pikët e listës me pikët vetjake, në mënyrë që gjatë plotësimit të Formularit A3 të përzgjedhë ato degë ku ka më shumë shanse për t’u shpallur fitues.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb