TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe ai i Turqisë, Recep Taip Erdogan kanë marrë pjesë në forumin e biznesit Shqipëri-Turqi. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet, kreu i shtetit vlerësoi bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ekzistuese me Turqinë, për të cilat tha se në 25 vite kanë njohur vetëm rritje.

“Kemi traditë të shkëlqyer të miqësisë dhe bashkëpunimit. Ndajmë sëbashku objektiva strategjikë në çështje të ndryshme. Biseda me Erdogan në nivelin miqësor. Shkëmbyem mendime në interesin e përbashkët të Turqisë dhe Shqipërisë. Një nga çështjet e rëndësishme, marrëdhëniet ekonomike. Këto marrëdhënie kanë njohur rritje, jo vetëm nëpërmjet investimeve, por Shqipëria ka përfituar edhe eksperiencën dhe ekspertizën e bizneseve turke”, tha Nishani.

Presidenti përmendi investimin e shtetit dhe popullit turk për xhaminë e Namazgjasë, për të cilën u hodhën sot themelet. Nishani theksoi se diktatura përveçse e izoloi Shqipërinë dhe u mori pronën dhe gjithçka shqiptarëve, u vrau edhe ndjenjën e biznesit.

“Vizita e sotme kishte dimensione të shumta. Sot edhe falë bujarisë së popullit turk, u bë e mundur nisja punimeve të xhamisë së Namazgjasë. Një objekt që i bashkëlidhet një kompleksi të rëndësishëm të harmonisë dhe kulturës fetare në Shqipëri. Në këto 25 vite, ndihma e shtetit turk ka qenë e vazhdueshme, e pandërprerë, në fusha të ndryshme, të lidhura me ekonominë. Ne i jemi mirënjohës shtetit turk. Ka ardhur koha që të mendojmë e të punojmë përtej çështjeve të ndihmës dhe asistencës. Duke shkuar tek investimet fondamentale. Në historinë e gjatë të marrëdhënieve tona, një vend të rëndësishëm ka zënë tregtia dhe këmbimet ekonomike. Gjatë viteve të diktaturës, njerëzit e aftë, njerëzit me shpirt tregtari, njerëzit punëtorë për fat të keq u zhveshën nga çdolloj pasurie dhe diktatura përveç pasurive, u vrau ndjenjën e biznesit. Për fat të keq edhe gjatë këtyre viteve të diktaturës, ndodhi edhe ndarja e madhe nga perëndimi dhe Turqia”.

Presidenti Nishani theksoi se në këto 25 vite, biznesi turk ka qenë pionieri i marrëdhënieve mes dy vendeve, ku ‘fuqia e parasë ja kalon dhe asaj politike’. Nishani pohoi se këto biznese kanë dhënë një ndihmesë të madhe në rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare.

“Ndihma e Turqisë mike në gjithë këto vite ka qenë shumë e rëndësishme për vendin tonë, e gjithanshme dhe shumëdimensionale. Ka qenë e pazëvendësueshme për ekonominë e brishtë shqiptarë. Të mbijetosh në vitet e globalizmit, kur gjithçka e nis nga Zero, natyrisht duhet kurajo, por dhe miq të mirë. Më së pari, kjo ndihmë shqiptarëve u erdhi nga Shqipëria. Ne do u jemi mirënjohje. Sot biznesi turk në vendin tonë ka vite që ecën. Por ka ende punë për tu bërë. Kuptohet se biznesmenët e masin gjithçka me fitimin dhe shumëzohet me numrin e popullsisë. Shqipëria është e hapur ndaj investimeve turke, ka shumë mundësia për të ofruar. më vjen mirë që shoh këtu në sallë, disa prej sipërmarrësve që kemi pasur fatin ti takojmë.”, -pohoi Nishani.

Nga ana tjetër, presidenti Bujar Nishani i ftoi biznesmenët turk që të kërkojnë të drejtat e tyre për lehtësime tatimore nga ana e qeverisë shqiptare. “Jo vetëm të kërkoni të drejtat që u takojnë, që të kërkoni lehtësira tatimore nga qeveria shqiptare. Kjo, pasi përmes kësaj, i jepet ndihmë dhe ekonomisë shqiptare dhe rritja e besimit dhe resurseve të mëtejshme të kompanive të biznesit. Eksperiencat tuaj, do bëjnë të mundur të tërhiqni dhe ekspertizën tuaj këtu. Çdo kush mahnitet nga turizmi turk gjatë këtyre 20 viteve të fundit, jo vetëm në këtë fushë, por dhe në sektore të tjera. këtu do gjeni dhe njerëz të arsimuar dhe fuqi punëtore që duan të punojnë.”, tha Nishani.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb