Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të mërkurën në Bratislavë të Sllovakisë.

Takimi ka ndodhur para pjesëmarrjes së Kurtit në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë.

“Po, kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë. Ndër tjerash, atje do të takojë përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, dhe emisarin e BE-së, Lajçak, si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, më herët gjatë 31 majit.

Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratislavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Të dy liderët ishin të ftuar në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Bratislavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.

Pamjet e tij në rrjetet sociale i publikoi Instituti sllovak, GLOBSEC, i cili po organizon forumin.

Vuçiç, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllvë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.

REL-i po përpiqet të marrë informacione nga zyrtarët evropianë nëse takimi Kurti-Vuçiq në Bratisllavë ka ende gjasa.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb