Statusi i punësimit të vajzave dhe grave bëri bashkë për 2 ditë rresht mbi 80 pjesëmarrës, zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar dhe të atyre të rajonit, donatorë të huaj në mbështetje të barazisë gjinore si dhe shoqëri civile e grupe interesi, të cilët ndanë përvojat e politikave të punësimit në këtë forum online të organizuar nga “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC) dhe “Demokraci për Zhvillim” (D4D), me qëllim hartimin e një strategji të vetme në nivel rajonal, me mbështetjen e edhe të Ambasadës Norvegjeze në Prishtinë, për “Rritjen e Qasjes së Grave në Punësim”

Megjithë përparimet e shënuara në drejtim të nxitjes së punësimit të grave, sikurse vërejti gjatë fjalës së saj, zv/ministrja e ekonomisë dhe financave, Dajna Sorensen, sërish hendeku gjinor në Shqipëri mbetet i lartë, “16-17% në varësi të kohës kur është matur” theksoi ajo. Pandemia nuk është një kohë e mirë për punësimin në tërësi, por sidomos për gratë në Shqipëri, më shumë se gjysma e të cilave (53%) rezultojnë të kenë humbur vendin e punës gjatë periudhës Prill-Korrik 2020. Por zv/ministrja Sorensen shtoi se rikthimi në tregun e punës ka qenë më i shpejt për gratë sesa për burrat, duke sjellë në kujtesë edhe programet e vendosura në dispozicion për të nxitur ripunësimin:

“Shteti mbështet 4 paga minimale dhe 8 muaj sigurime shoqërore për punonjësit që rifillojnë punë. Ndërsa për të punësuarit në të zezë, nëse ata pranojnë të vetëdeklarohen dhe biznesi pranon t’i deklaroj, atëherë shteti u paguan sigurimet shëndetsore dhe shoqërore të dyja palëve, punëdhënësit dhe punëmarrësit” – shpjegoi Sorensen.

Edhe në Kosovë, ku zyra për barazinë gjinore ekziston në çdo ministri të qeverisë Hoti, qasja e grave në tregun e punës mbetet e vështirë, kryesisht për shkak të steriotipeve gjinore. Statistikat tregojnë se burrat shpenzojnë pak kohë për përkujdesje shtëpiake (mesatarisht 2.3 orë) në krahasim me gratë (7.1 orë sipas Bankës Botërore). Zv/ministrja e Ekonomisë dhe Ambjentit, Burbuqe Bakija-Deva përmendi disa aspekte ku duhet të ndërhyhet për të nxitur lëvizshmërinë e grave sikurse shërbimi i transportit publik si dhe siguria rrugore, veçanërisht në zonat e thella rurale.

Një studim i fundit i realizuar nga Kosovo Women Network dhe “Aleanca Gjinore për Zhvillim” tregon se në Shqipëri, Serbi, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina ndërgjegjsimi se diskriminimi gjinor është i paligjshëm është në nivele të larta, por gratë nuk dinë se ku duhet t’i adresojnë shqetësimet e tyre. Ndaj dhe zv/ambasadorja norvegjeze në Prishtinë, Jenny Stenberg Sorvold vuri theksin tek nevoja për fushata informuese pasi garantimi i një vendi pune dinjitoz dhe të sigurtë për gratë është pikënisja prej nga nxitet pjesëmarrja e tyre në nivele të larta vendimmarrëse në shoqëri, njësoj sikurse burrat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb