Amir Abrashi dhe Mërgim Mavraj vazhdojnë të shkëlqejnë në kampionatin gjerman të futbollit, ku skuadrat e tyre përkatëse, Fraiburg dhe Këln, kanë kaluar çdo lloj pritshmërie.

Abrashi la pas dëmtimet e javëve të kaluara dhe të shtunën u bë protagonist në suksesin 3-1 të skuadrës së tij në transfertë ndaj Verder Bremen, duke realizuar golin e tretë për Fraiburgun. Falë kësaj paraqitjeje, e përditshmja sportive gjermane “Kicker” e ka renditur mesfushorin shqiptar mes më të dalluarve të kësaj jave. Kjo ishte e hera e parë që Abrashi merr këtë vlerësim në Bundesligë, ndërsa në sezonin e kaluar kishte qenë disa herë pjesë e formacionit më të mirë në Bundesligën 2.

Ndërkaq, në formacion ideal kthehet për herë të tretë edhe Mërgim Mavraj. Fitorja 3-0 e Këlnit ndaj Hamburgut mban këtë skuadër në vendin e katërt në klasifikim. Një meritë të madhe për këtë shpërthim të Këln ka edhe prapavija ku Mavraj është kthyer në lider të padiskutueshëm. Ndaj edhe ai, si Abrashi, ka marrë notën 2 nga “Kicker” dhe është përgjedhur në ekipin ideal të javës së 9.

Prania për herë të tretë në formacionin ideal në këte sezon e bën Mavrajn një nga tre lojtarët më të suksesshëm të edicionit në Bundesligë. Vetëm sulmuesi i skuadrës së Këln, Antoni Modeste, autor i 11 golave në 9 ndeshje, si dhe mesfushori i Bajern Mynih, Frank Riberi, kanë arritur të renditen 3 herë në formacionin më të mirë të “Kicker” në këto javë të para. Ndërkaq, shumë emra të njohur si Levandovski, Lahm, Martinez, Ibisheviç, etj, e ndjekin me nga dy prani në formacionin më të mirë./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: