Policia e Gjermanisë thotë se dy vëllezër, të lindur në Kosovë, janë arrestuar si të dyshuar se po planifikonin sulm në një qendër tregtare në pjesën perëndimore të Gjermanisë.
qendra tregtare gjermani

Lajmin e ka konfirmuar edhe një zëdhënës i policisë të premten në mëngjes. Dy vëllezërit me origjinë nga Kosova, të moshës 28 dhe 31 vjeçare, janë arrestuar gjatë natës nga një njësi speciale. Vëllezërit dyshohet se kanë qenë në fazën e përgatitjeve për kryerjen e një sulmi në Oberhausen.

“Aktualisht jemi duke punuar me urgjencë për të zbuluar se në cilën fazë kanë qenë përgatitjet dhe nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këto përgatitje”, tha zëdhënësi. Deri tani nuk ka të dhëna për identietin e personave të arrestuar.

Autoritetet thonë se ata janë të dyshuar se ndoshta kanë planifikuar sulm në qendrën tregtare Centro në qytetin e afërt Oberhauzen.

Autoritetet po zhvillojnë hetime se sa larg ka shkuar plani i të dyshuarve dhe nëse eventualisht ka edhe të dyshuar të tjerë.

Edhe prestigjozja “The Guardian” shkruan se shënjestra e tyre ishte qendra tregtare “Centro” e cila është njëra ndër më të mëdhatë në Gjermani, me rreth 250 dyqane.

Policia thotë se mbrëmë e ka shtuar praninë në qendrën tregtare Centro dhe në Tregun e Krishtlindjeve në afërsi, pasi ka marrë informacion.

Ministria e Brendshme në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë është duke pritur rezultatet e hetuesisë, por përfaqësuesi i sindikatës së policëve thotë se ky është një moment i ri, sepse personat me origjinë nga Kosova deri tani nuk kanë qenë nën dyshime si pjesë e rrjeteve terroriste në këtë land.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: