Sapo është kthyer nga Shqipëria, policia italiane i ka vënë prangat bosit të organizatës mafioze Ndragheta. Bëhet fjalë për Mario Lopez, i cili është arrestuar në Bari paraditen e sotme, kur sapo ishte ulur nga avioni me të cilin kishte udhëtuar nga Rinasi.

Lopez ishte në kërkim nga drejtësia italiane, pas operacionit të djeshëm “Six Towns”, nga i cili u arrestuan 36 persona si anëtarë të organizatës mafioze “Locale di Belvedere Spinello”.

38-vjeçari i akuzuar për shumë krime është pjesë e një familje mafioze me origjinë nga San Giovanni in Fiore, provincë në Kozenca i kishte shpëtuar dje operacionit blic të policisë vendase e cila nuk e kishte gjetur pasi Lopez ka qenë në Shqipëri. Mëngjesin e sotëm Lopez ishte nisur nga Rinasi, por nuk dihet nëse policia shqiptare ka patur sinjalizime dhe nëse ka njoftuar autoritetet italiane.

Mediat italiane raportojnë, se organizata e drejtuar prej Fabio Lopez akuzohet për krime të rënda deri edhe vrasje, por aktiviteti kryesor i kësaj organizate ishte trafiku i lëndëve narkotike dhe shpërndarja në Itali.

Operacioni ku u arrestuan 36 anëtarët e organizatës së Fabio Lopez u zhvillua kryesisht në provincat Crotone e Cosenza dhe u angazhuan 150 karabinierë.

Ndragheta është një organizatë kriminale me bazë në Kalabri. Edhe pse jo shumë e njohur jashtë vendit ose e njohur më pak se mafia siciliane Ndragheta u bë sindikata më e fuqishme në Itali në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb