Disa godina te reja studentore në Qytetin Studenti do të vihen në dispozicion të shtetasve afganë, të cilët pritet të vendosen përkohësisht në vendin tonë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me nënkryetaren e Bashkisë, Anisa Ruseti, vizituan sot një prej konvikteve të reja, u shpreh se ky do të jetë standardi me të cilin do të vijohet edhe me godinat e tjera.

“Përpara një jave, në Bari, përkujtuam anijen “Vlora”, e cila 30 vjet më parë u nis nga Durrësi me 20 mijë shqiptarë në bord. Kryetari i Bashkisë së Barit, edhe pse në Itali kishte shumë polemika, tha: “Sono personi” – Janë njerëz. Mesazhi që Tirana duhet të japë për ata qytetarë nga Afganistani, të cilët përkohësisht do vijnë në ambientet tona, për t’u sistemuar më pas nëpër hotele në bregdet, pasi të lirohen nga fluksi i verës, e për të vijuar mandej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë: “Sono persone” – Janë njerëz”, tha Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai nënvizoi se edhe ne, shqiptarët, kemi qenë një komb emigrantësh, e po ashtu jemi përballur me fatkeqësi si ajo e tërmetit të 26 nëntorit, ndaj jemi më zemërhapur si komb. Veliaj shtoi se studentët e vjeshtës, janë sistemuar në një godinë të veçantë në Qytetin Studenti dhe asnjë nuk ka mbetur pa u strehuar. “Ne jemi një popull me zemër të madhe. Kemi qendra sociale, kur bie borë e kur bën ftohtë nuk lëmë asnjë rrugëve. E për sa kohë që çdo njeriu të uritur i japim ushqim, e çdo njeriu të pambrojtur i japim strehë, e çdo njeriu që ka nevojë për higjienë i japim një dush, kjo duhet të vlejë për këdo. E kemi bërë këtë me shumë valë të emigrantëve sirianë, që tranzitiojnë nëpër Tiranë për të vazhduar diku tjetër, dhe nuk ka asnjë çudi që do ta bëjmë këtë për këdo që ka nevojë të tranzitojë përkohësisht në vendin tonë, teksa kërkon një të ardhme më të sigurt për familjen e tij. Për sa kohë ishin ne afganët në vitet 90’, do duhet të tregojmë njerëzillëk. Nuk duhet ta harrojmë historinë nga kemi ardhur, kur ne ishim në situata të tilla me anije”, shtoi kryebashkiaku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb