Nënkryetari i LSI, Luan Rama ndryshe nga politikanët e tjerë që sot u fokusuan tek Dita e Europës ka kujtuar shqiptarët që ranë dëshmorë në luftën kundër fashizmit.

Sot ishte 9 maji, e njohur si dita e fitores mbi fashizmin, por Rama kritikon se nuk u tha asnjë fjalë për ata që falën gjakun dhe jetën në Shqipëri për të luftuar fashizmin.

Ata që nuk e nderojnë këtë ditë thotë Luan Rama, janë eurohipokritë pasi nuk e kuptojnë se pa fitoren mbi fashizmin nuk do të kishte Ditë të Europës.

 

 

STATUSI NGA LUAN RAMA

75 – vjetori i fitores mbi fashizmin:

9 MAJI SI DËSHMI E EUROHIPOKRITËVE TË POLITIKËS SHQIPTARE!

Sot u mbushën 75 – vjet prej ditës kur koalicioni i madh antifashist botëror, i prirë nga Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Shtetet të Bashkuara të Amerikës, shpalli fitoren përfundimitare mbi fashizmin dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Dhe që prej vitit 1945, 9 maji kremtohet si dita e fitores mbi fashizmin.

Mirëpo, paradoksalisht dhe paturpësisht, në Shqipërinë antifashiste, sot në ditën e fitores mbi fashizmin, nuk u tha asnjë fjalë përkujtimi dhe nderimi prej askujt; as prej drejtuesve të lartë të shtetit e të qeverisë, as prej drejtuesve të partive politike!

Nuk u tha asnjë fjalë përkujtimi dhe nderimi për kontributin dhe sakrificat e mëdha që bëri populli shqiptar me luftën e vet Nacionalçlirimtare, falë së cilës Shqipëria jo vetëm u rendit në anën e duhur të historisë, por edhe u njoh botërisht si faktor fitues në Luftën e Dytë Botërore.

Nuk u tha asnjë fjalë përkujtimi dhe nderimi për gjakun e derdhur dhe jetët e falura në themelet e Shqipërisë antifashiste, e po aq, edhe në vetë themelet antifashiste të Europës së Bashkuar!

Dhe të gjithë rendën kush e kush të flasë i pari për Ditën e Europës, e shënjuar si e tillë pesë vjet pas fitores mbi fashizmin, më 5 maj të vitit 1950, me atë që njihet si “Deklarata e Schumanit”, kur Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, shpalli deklaratën me anë të së cilës i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte në fakt edhe embrioni i krijimit të Bashkimit Europian.

Shumë mirë bënë që e përkujtuan Ditën e Europës e cila kremtohet më 9 maj që prej vitit 1964, dikush përkrah ambasadorit të BE-së në Tiranë e dikush tjetër me ndonjë status në fb.

Dita e Europes duhet nderuar jo vetëm për simbolikën që mbart, por edhe për vlerat që mbron dhe përfaqëson Bashkimi Europian, dhe po aq, edhe për aspiratën europiane të shqiptarëve, ende e mbetur peng e papërgjegjshmërisë dhe idiotësisë politike të atyre që na qeverisin!

Ndaj, 9 maji i 75 – vjetorit të fitores mbi fashizmin, është edhe dëshmi e eurohipokritëve shqiptarë, që nuk e kuptojnë se pa Ditën e Fitores mbi fashizmin, nuk do të kishte Ditë të Europës!

( Në foto: monumenti “Partizani fitimtar”, vepër e “Skulptorit të Popullit” Odise Paskali, vendosur në ish – kampin nazist të shfarosjes në Mat’hauzen, si dëshmi e kontributit të popullit shqiptar në fitoren mbi fashizmin.)
]

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb