Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar sonte historinë e Xhemile Spahillari nga Korça, e cila është 115 vjeç, por nuk ka marrë asnjëherë pension.

Ajo ka punuar vetëm 3 vjet në kooperativë e pasiguruar dhe sipas ligjit, duhet të përfitojë pension social.

Gazetarja: O nëna sa fëmijë ke ti?

Xhemile Spahillari: 2 çupa, dy djem, 4.

Gazetarja: Ke punuar ndonjëherë në jetën tënde?

Xhemile Spahillari: Punë në fushë!

Gazetarja: Pensionin e merr?

Xhemile Spahillari:  Jo!

Gazetarja: Nëna çfarë kërkon?

Xhemile Spahillari: Dua pension!

Djali i saj thotë se gjendja civile e ka shpallur të vdekur dhe e ka hequr nga sistemi.

Djali: Problem ynë është se nëna jonë nuk ka pension.

Gazetarja: Ka punuar nëna?

Djali: E ka punuar pak vite në bujqësi, 2-3 vjet, nuk ka patur vite pune.

Gazetarja: Ju për këtë rast jeni interesuar tek Instituti i Sigurimeve Shëndetësore? Çfarë ju kanë thënë?

Djali: Jam interesuar dhe ata më kanë thënë duhet të nxjerrësh një certifikatë familjare. Unë vajta, ajo nuk figuron fare në gjendjen civile.

Gazetarja: Ju ke thënë specialistëve, futeni nënën se e kam gjallë, e kam në shtëpi si kokrra e mollës. 115 vjeç.

Djali: Ju kam thënë, por asnjë nuk ka ardhur, nuk vijnë të shikojnë ku jetojmë, me çfarë rron kjo nëna ime.

Gazetarja: Është një ligj që ka dalë para 5 vitesh, për të gjithë kategoritë si nëna jote, persona që nuk kanë punuar kurrë në jetën e tyre mund të përfitojë një pension social, me vlerën e 50% të një pensioni normal. Nëse nëna nuk ka tokë bujësore në emrin e saj, atëherë do përfitojë pensionin e plotë social.

Djali: Sa gabim kam bërë që nuk kam ardhur më përpara tek “Stopi”, kushedi sa kam humbur deri tani. Gjithë këto shërbime, ne ja kemi bërë se na dhimbset dhe është nëna jonë dhe na dhimbset, por shteti ku është. Ajo nëna është më e vjetra në Republikë mund të thuash, është për guines, por këta nuk e fusin as në gjendjen civile, as në pension.

Kompania “Aleat” nuk e pajis zonjën Xhemile me kartë identiteti, pasi nuk ka një ligj për t’i vajtur në shtëpi, edhe pse ajo është e pamundur fizikisht.

“Stop” shkon në zyrat e ISSH Korcë dhe aty thonë që duhet dorëzuar një dosje me dokumenta, si karta e identitetit, vërtetim nëse ka pronë, dhe nëse ka tokë bujqësore.

Adelina Demko, përgjegjëse në ISSH Korçë, shprehet se nëse i dorëzon këto dokumente, atëhera zonjës së moshuar i takon një shumë prej 77 mijë Lekë të vjetra pension social.

Adelina Demko: Ky është dokumentacioni që duhet të sjellë vetë personi, ose dikush tjetër që e përfaqëson atë me prokurë. Në momentin që e dorëzon, sigurisht fillon masa e pensionit social.

Në arkivin e Gjendjes Civile pajiset me çertifikatën e trungut, ku zonja figuron. Më pas në zyrën e Gjendjes Civile, i premtojnë rifutjen e saj në sistem, pasi ishte shpallur e vdekur.

Punonjësja: Është bllokuar si shtetase mbi moshën 100 vjeç. Nga verifikimet e bëra në teren rezulton se ajo nuk rron.

Gazetarja: Por ajo është gjallë. Çfarë verifikimi ke bërë ti?

Punonjësja: Ja kemi dërguar rajonit. Zotëri më dëgjo, nëse është gjallë ne e kthejmë nga dublimi, e kthejmë nga bllokimi i personit dhe i shërbejmë qytetarit.

Problemi qëndron tek karta e identitetit dhe për këtë “Stop” drejtohet tek kompania “Aleat”. Aty nuk japin zgjidhje, pasi shërbimin në shtëpi nuk e ofrojnë për kartë identiteti, por vetëm për pasaportën e shpejtë, që kushton 180 mijë Lekë të vjetra.

Gazetarja: Ju lutem bëhet fjalë për një zonjë 115-vjeçare, një specialist nga ju mund të shkojë tek zonja, se nuk përfiton pension, se nuk ka kartën?

Punonjësja: Nuk lejohet të xhirohet brenda! E kemi të ndaluar.

Gazetarja: E kam informacionin që nuk shkoni nëse zonja nuk bën një pasaportë 118 mijë Lekë. Pse zonja duhet të bëjë pasaportën 118 mijë Lekë, kur është 115 vjeç?

Punonjësja: Nuk jemi të autorizuar për të dhënë deklarata.

Gazetarja: E latë pa pension.

Punonjësja: Ju lutem zonjë nuk e lë unë, unë jam punonjëse. /tvklan.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: