Policia e Komos në Itali ka zhvilluar 5 arrestime sot në mëngjes, njëra prej të cilëve është për vrasje. Ndërsa, policia e vendit fqinj ka arritur që të çmontojë edhe një grup kriminal shqiptaro – italian, që merrej me veprimtari të ndryshme të jashtë-ligjshme.

Karabinierët e stacionit policor në Trevizo dhe karabinierët e Komos  në bashkëpunim me ekipin e Reggio Kalabrias, arrestuan 5 persona, ndërsa kërkuan për 12 të tjerë pas një hetimi kompleks të drejtuar nga prokuroria e rrethit të Venecias, që hodhi dritë për një trafik të gjerë antidrogë midis Venetos, Lombardisë dhe Kalabrisë, dhe gjithashtu u drejtua drejt vendeve të Evropës Lindore dhe Veriore (Shqipëri, Rumani, Angli dhe Gjermani), raportojnë mediat italiane.

Sipas hetuesve, krimet janë rezultat i një partneriteti shumë të vendosur midis familjeve italiane dhe shqiptare. Gjatë dy viteve të hetimit, policia sekuestroi 350 kilogramë marijuanë dhe 270 gram kokainë, substanca doping dhe amfetamina, duke arrestuar 8 persona në flagrancë.

Besnik Metaj quhet personi, që dyshohet se është përfshirë në këtë rrjet, ndërsa u gjet i pajetë në provincën e Komos. Metaj dyshohet se është vrarë për shkak të mos-marrëveshjeve për cështje të trafikut të drogës.  Trupi i Besnikut ishte gjetur pjesërisht i varrosur në pyllin e malit Cornizzolo, në komunën Eupilio, në provincën e Komos, krejtësisht lakuriq, me plumba në kokë. Të gjitha ishin shenja të një ekzekutimi të vërtetë.

Karabinierët kanë njoftuar se për këtë krim u arrestua sot një person. Ai jetonte në familjen italiane të Varca-Crivaro, ndërsa me origjinë ishte nga Kopliku i Shqipërisë. Burri do të përgjigjet për vrasjen dhe për fshehjen e trupit të Besnik Metajt, por edhe për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb