ELBASAN – Vetëm pak orë na ndajnë nga ndeshja për eliminatorët e Botërorit “Rusi 2016”, Shqipëri- Izrael. Përfaqësuesja e Izraelit udhëtoi ditën e djeshme drejt Elbasanit, ku zhvilloi për edhe një stërvitje në stadiumin “Elbasan Arena”.

Ajo që bie në sy në Elbasan janë masat e marra nga policia, e cila prej ditës së djeshme ka blinduar qytetin. Një numër i madh efektivësh policie janë vendosur rreth stadiumit për të garantuar siguri gjithë ditën dhe deri në përfundim të ndeshjes.

Gazetari i News 24 dhe BalkanWeb, Fatmir Popja ka sjellë foto për ta pasqyruar sa më qartë atmosferën në qytetin e Elbasanit, i cili është mbushur plot me flamuj kuq e zi, për të mbështetur kombëtaren tonë në sfidën kundër Izraelit.

Megjithatë, situata në Elbasan paraqitet e vakët, edhe si pasojë e motit të keq, por edhe prej masave jashtëzakonisht të rrepta të marrë nga policia.

Siç u njoftua dhe më herët, policia ka marrë një sërë masash për të garantuar siguri gjatë ditës së sotme. Në një koordinim të ngushtë me Policinë Shqiptare, agjentët izraelitë të sigurisë kanë kërkuar edhe pastrimin nga mjetet e parkuara të segmenteve rrugore, që do të përshkojnë deri në Elbasan, ku do të zhvillojnë stërvitjen e parë.

Në këtë qytet, aplikimi i masave të sigurisë ka nisur prej disa ditësh. Ditën e sotme janë angazhuar 2000 forca policie për të siguruar mbarëvajtjen e këtij takimi.

Kontrollet dhe garantimi i sigurisë në ambientet e brendshme të stadiumit kryhen nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit. Kontrolli fizik i tifozëve para hyrjes në stadium do bëhet nga FNSH.

Tifozët duhet të paraqiten 4 orë përpara fillimit të ndeshjes. Gjatë hyrjes në stadium ata do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe të imtësishëm.

Nuk do t’u lejohet të mbajnë me vete monedha, çelësa, fishekzjarre, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopinj madje as shishe uji dhe çadra. Të gjitha parkimet përreth stadiumit, si dhe anës rrugës kryesore në qytetin e Elbasanit do të boshatisen, ndërsa do mbyllen të gjitha lokalet përreth stadiumit 8 orë përpara fillimit të ndeshjes.

Aksi Elbasan – Tiranë nga tuneli do të përdoret vetëm nga Kombëtarja izraelite, ndërsa tifozët do të duhet të kalojnë nga Durrësi.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: