“Zonja e Vjetër” përjeton makthe në Champions, pësoi një disfatë të rëndë në Holandë duke “larë duart” me këtë turne. PSV i shkaktoi një humbje 3-1, duke përmbysur sfidën e parë. Ky është pa diskutim një dështim i madh, humbja më e hidhur me Thiago Motta-n në stol.
Juve udhëtonte në Holandë me një avantazh të rëndësishëm 2-1 nga sfida e parë, por pas një pjesë të parë të përfunduar me rrjeta të paprekura, Ivan Perisic befasoi “Zonjën e Vjetër” duke kaluar PSV në avantazh. Festa nuk zgjati shumë pasi në minutën e 63-të, Weah me një predhë të vërtetë nga jashtë zonë dërgoi topin në rrjetë. Gjyqtari i takimit fillimisht ndali gjithçka për pozicion jashtë lojë, por më pas me ndihëm e sistemit VAR la në fuqi golin e Juves.
PSV nuk hoqi dorë nga faza ofensive dhe në minutën e 73-të u rikthyen sërish në lojë me Saibari që përfitoi nga një rrëmujë në zonë duke realizuar golin e dytë që e dërgoi ndeshjen në shtesë. Ekipi i Thiago Motta-s u shpërbë edhe një herë në zemër të mbrojtjes, me Flamingo që realizoi golin e tretë në minutën e 98-të. Në limitet e shtesës së parë, Juve kishte shansin ta dërgonte këtë sfidë te ruleta e penalltive, por goditja e Vlahovic u ndal në shtyllën pingule, duke bërë që Juve ta shoh veten në mënyrë të papritur jashtë Champions League.
Eliminimi i Juves nga Champions është përjetuar si dramë jo vetëm në Torino, por edhe në mediat italiane: “Euro katastrofë. Jashtë edhe Juve, vetëm Inter në 1/8”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “Motta, çfarë goditje. Dështoi në objektivin e parë, nuk mund të gabosh më”, shkruan TuttoSport.
(BalkanWeb)