Brenda 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës, pala greke ka kthyer mbi 100 shqiptarë, mes tyre gra, fëmijë e të moshuar. Argumenti i përdorur ka qenë mungesa e dokumentave dhe fakti i mosdisponimit të një shume prej minimum 100 euro në ditë për të hyrë në zonën Shengen. “BalkanWeb” ka siguruar edhe një foto të pasaportës së një shqiptari, ku bie në sy “damkosja” e saj me dy kryqe nga pala greke.
Në prononcime për “News24”, qytetarët shqiptarë të kthyer në kufi janë shprehur të irrituar për këtë qëndrim të palës greke. “Jemi kthyer pa arsye, dokumentat i kemi të rregullta, nuk po marrim vesh asgjë. Na kthyen pa shpjegime duke na vendosur dhe nga dy kryqe në pasaportë”, – janë shprehur ata. Në fakt kthimi i shqiptarëve në kufi nga pala greke nuk është një fenomen i rrallë. Kujtojmë se më herët argumenti “klasik” që përdorte pala greke ka qenë prishja e kompjuterave që ka fiksuar në memorie rradhët kilometrike të emigrantëve shqiptarë që prisnin me orë të të tëra për të kaluar në tokën helene.
Rikthimi i “fshesës” greke në kufi kësaj here duket se vjen si një formë “hakmarrjeje” e Athinës zyrtare ndaj deklaratave të forta dhe qëndrimeve të prera të kryeministrit, Edi Rama për çështjen çame, Himarën dhe anulimin e ligjit të luftës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb