Në një kohë kur PS dhe LSI kanë shkëmbyer replika të shumta në distancë dhe flitet për një krisje të marrëdhënieve, pas deklaratave të forta të ministrave Lefter Koka dhe Ylli Manjani për Policinë e Shtetit, vjen edhe një tjetër lëvizje brenda mazhorancës.

Pjerin Xhuvani

Sipas “Panorama” kreu i LSI­-së në Elbasan, Pjerin Xhuvani ka kaluar te PDIU-­ja, partia që po shigjetohet shpesh nga LSI­-ja dhe që shihet si zëvendësuese e saj në qeveri. Në një fotot të siguruar nga “Panorama”, Xhuvani shihet përkrah Idrizit në një event të kësaj partie.
Pjerin Xhuvani 2

Por burime zyrtare nga LSI pohojnë për “BalkanWeb” se Xhuvani prej kohësh nuk është më kreu i LSI-së në Elbasan, pasi ai është shkarkuar menjëherë nga ky funksion partiak pas arrestimit për skandalin me barnat si ish-drejtor rajonal i Fondit të Barnave të Rimbursueshme, por që më pas u lirua. Të njëjtat burime pohojnë për “BalkanWeb” se funksionin e tij tashmë e ‘ushtron’ ish-ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili është i deleguari i kryesisë së LSI-së në këtë qytet.
Në debatin dhe replikat mes PS e LSI, palë në disa raste është bërë edhe PDIU e cila qartësisht ka mbajtur pozicionin krah kryeministrit, Rama. Ndërhyrja e PDIU-së në debatin mes dy aleatëve të mëdhenj u provokua nga një deklaratë e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani i cili “thumboi” afrimin e PS-së me PDIU-në kur deklaroi se “në pushtet kemi ardhur me Ben Blushin dhe jo me Shpëtim Idrizin”.
Nga ana e saj PDIU, replikoi me deputeten Mesila Doda e cila publikisht i kërkoi kreut të Kuvendit, Ilir Meta, njëherazi kryetar i LSI-së që të mos fliste si Shvejku por të pozicionohej qartë sipas saj “o në qeveri, o në opozitë”. Këtyre deklaratave Meta iu përgjigj në mënyre ironike gjatë një interviste për emisionin “Studio e hapur” të gazetares, Eni Vasili në “News 24” ku deklaroi se “kërcënimet e PDIU-së më shkrijnë gazit”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb