Shtetet e Bashkuara i dhuruan të hënën Forcës së Sigurisë së Kosovës 55 automjete ushtarake të blinduara të njohura si ASV (automjete të blinduara të sigurisë).

Automjetet ASV kanë hyrë në shërbim në fund të viteve ’90 dhe njihen për rezistencë të fortë veçanërisht ndaj minave dhe mund të pajisen edhe me armatim të ndryshëm.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve ushtarake, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha sot se mjetet ushtarake do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë.

“Këto pajisje do t’iu ndihmojnë juve që t’i zgjeroni edhe më tej kapacitetet tuaja, të parapara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, mbështetur në misionin dhe mandatin tuaj të ri. Ato do të ndikojnë që aftësitë operacionale të FSK-së të rriten dukshëm si dhe që ushtria jonë të jetë plotësisht ndërvepruese me partnerët tanë, sidomos me SHBA-në, duke ndikuar që së bashku me ta të jetë garantuese e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por në gjithë botën duke qenë se ju do të jeni plotësisht të gasthëm të merrni pjesë edhe në misione paqeruajtëse edhe në të ardhmen”, tha presidentja Osmani.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti falemnderoi Shtetet e Bashkuara për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë.

“Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm është duke luajtur partneri ynë i pazevendësueshëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Ameirkës. SHBA, së bashku me shtetet tjera partnere, vazhdojnë të jenë kontribues aktiv në çdo fazë të zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbështetja me automjetet e blinduara nga SHBA-të për FSK-në është njëra nga shumë fushat ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe popullit tonë”, tha kryeministri Kurti.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës.

Autoritetet thonë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s, që vazhdojnë të kenë rreth 4 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb