DURRËS

Mbi 1 milionë paketa cigaresh nga India janë sekuestruar në portin e Durrësit. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli bën me dije se paketat ishin pa pullë fiskale shqiptare apo të ndonjë vendi tjetër.

Në treg paketat kapnin vlerën e 168 mijë eurove, teksa detyrimi doganor shkonte në 164 milionë lekë.

Për të shmangur këtë të fundit, paketat ishin vendosur në dy konteinerë dhe do të tentonin të kalonin kontrabandë brenda Shqipërisë.

DEKLARATA PËR MEDIAT E GENT GAZHELI

Deklaratë për media e dhënë nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z.Gent Gazheli

Përshëndetje të gjithëve

Faleminderit që jeni sot këtu për të përcjellë për publikun këtë deklaratë.
******
Strukturat e Administratës Doganore kanë sekuestruar një sasi prej më shumë se 1 milion paketa cigare në Portin e Durrësit.
Pas njw analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të ngarkesës, strukturat doganore ushtruan kontroll në dy kontenierë të dyshuar, ku rezultoi ngarkesë prej 1.050.000 paketa cigare me origjinë nga India.
Vlerësoj se kjo është dhe në sajë të një bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni në kohë reale me partnerët ndërkombëtarë.
E gjithë ngarkesa me cigare ishte e papajisur me pullë fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.
Nëse ky mall do të hidhej në treg, vlera e paketave të duhanit të sekuestruar në të dy kontenieret, sipas të dhënave të disponueshme, mbi të cilat janë llogaritur detyrimet doganore, kap shifrën e 168 mijë euro. (Ndërsa detyrimi doganor që duhej të paguhej kap shifrën 164 milion lekë)
E gjithë sasia u sekuestrua dhe rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale, “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë” të parashikuar nga neni 172 dhe 190/3 të Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore.
Ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës.

Më lejoni që në këtë dalje të parë timen në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, të përcjell një mesazh për të gjithë qytetarët dhe operatorët ekonomikë, se Strukturat e Administratës Doganore do vijojnë të jenë të angazhuara tërësisht në zbatimin e detyrave funksionale që kanë.
Objektivi ynë është tolerancë zero ndaj çdo akti të paligjshëm dhe trafiqeve.
Çdo punonjës i Administratës doganore do të jetë në shërbim për të krijuar lehtësi dhe një klime të favorshme për sipërmarrjen, si dhe në funksion të konkurrencës së ndershme dhe barazisë para ligjit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb