Nag: Ilir Sinanaj

Agjencia prestigjioze britanike e lajmeve BBC i ka kushtuar një reportazh mbështetjes që shfaqet në Kosovë për kandidaten Demokrate e zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e gjigantit britanik të lajmeve është një butik rrobash, sipërmarrje familjare, me emrin Hillary që ndodhet në Prishtë, jo shumë larg statujës së ish-Presidentit Amerikan Bill Clinton.

Elda Morina është një nga pjesëtaret e familjes që kanë në pronësi butikun Hillary. Ajo shpreh vlerësimin e madh për familjen Clinton dhe shton se ish- Presidenti i Shteteve te Bashkuara Bill Clinton ishte i pari që i tregoi botës për vuajtjeve në Kosovë.

Por familja Clinton ka frymëzuar edhe vetë stilin e butikut të Eldës, në përzgjedhjen e veshjeve.

‘Ne mendojmë të kemi një koleksion veshjesh që janë të ngjashme me stilin e Hillary Clinton, një stil klasik’, thotë ajo

Ndërkaq edhe vetë ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton ka vizituar butikun në Prishtinë që mban emrin e saj. Elda flet për takimin që pati me shtetaren amerikane.

‘Ajo u çudit së tepërmi dhe më pyeti si nisi ideja për këtë butik dhe si po funksiononte’, tregon ajo

Butiku i Eldës ka krijuar një klientelë besnike duke filluar nga gra dhe vajza sipërmarrëse e deri te politikane. Gjithashtu, pas suksesit të butikut të parë, ajo ka hapur edhe një tjetër, të quajtur Hillary 2.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb