Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe lideri demokrati Lulzim Basha kanë zhvilluar një takim me raporteren për Shqipërinë në BE, Isabel Santos lidhur me pandeminë, Reformën Zgjedhore dhe situatën aktuale.

Kryemadhi ka thënë se mazhorancës në një parlament me 122 deputetë i duhen vetëm 73 vota për ligjin e ri elektoral, prandaj çdo alibi tjetër për  të prishur dakordësinë e 5 qershorit është tentativë për të vrarë dialogun politike dhe perspektivën europiane.

Më tej ajo shton se Opozita e Bashkuar ka prioritet sfidën ndaj COVID-19 ndërkohë që ka qenë dhe është e vendosur për të finalizuar Reformën Zgjedhore, që i hap rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme

 

STATUSI NGA MONIKA KRYEMADHI

 

 ?? Nën sfidën e një takimi virtual bashkë me z.Basha zhvilluam sot një bashkëbisedim miqësor me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, znj. Isabel Santos.
Rikonfirmuam dhe njëherë që Opozita e Bashkuar përtej prioritetit për të përballuar sfidën ndaj Covid-19 dhe pasojave ekonomike të saj, mbetet e angazhuar plotësisht në përmbushjen e të gjitha kushteve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Edhe pse kryeministri i vendit provokoi opozitën dhe qytetarët shqiptarë me shembjen e Teatrit Kombëtar në mes të pandemisë, përmes vendimeve të falsifikuara, përdorimit të policisë private pa asnjë numër identifikimi dhe ushtrimit të dhunës së paprecedentë kundrejt qytetarëve dhe artistëve, Opozita e Bashkuar ishte e vendosur të finalizonte Reformën Zgjedhore, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira në vend dhe për të plotësuar një nga kushtet thelbësore për çeljen e negociatave të Shqipërisë.

Në një Parlament me vetëm 122 deputetë, mazhorancës i nevojiten vetëm 73 vota për të miratuar ligjin e ri elektoral. Ndaj çdo alibi për të prishur dakordësinë e 5 qershorit është thjesht tentativë për të vrarë dialogun politik në vend dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb