Gazetarja Klodiana Lala deklaroi sot se dosja e vrasjes së vëllezërve Viktor e Besmir Haxhiaj pasditen e 27 Prillit në Durrës i ka shkuar SPAK-ut. Kjo për faktin se tashmë është shpallur në kërkim Talo Çela, i pandehur për grabitjen e Rinasit në 2019, paratë e të cilës dyshohet të kenë sjellë vrasjet e njëpasnjëshme në Durrës.

Emri i 49-vjeçarit nga Elbasani është përmendur nga Klevis Alla, i arrestuar më parë për vrasjen e dyfishtë.

  • foto galeri
  • foto galeri

22-vjeçari Alla, që mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ka treguar përballë hetuesve se Çela ka patur një konflikt me viktimat të cilëve u kishte lënë në ruajtje një shumë parash që nuk ia kishin kthyer. Burime pranë Prokurorisë së Durrësit bëjnë me dije se vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhje që kishte ndodhur në Janar të këtij viti.

Përveç Çelës në kërkim është shpallur edhe Nuredin Dumani, që dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e vëllezërve. Prokuroria e Durrësit ka dalë në përfundimin se vrasja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe për këtë e ka transferuar dosjen në SPAK.

Për vrasjen e dyfishtë në Durrës janë arrestuar Altin Ndoci dhe Klevis Alla. Ndoci ka mohuar të jetë përfshirë në atentat. Emri i tij është përmendur nga Klevis Alla që ka treguar edhe vendin ku fshehën armët dhe makinën pas krimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: