Një super Rafa Leao i dhuroi Milanit një tre pikësh të artë përballë Girona, një sukses jetik që i siguron minimalisht prezencën në “play-off”, ndërsa “top8” do të vendoset në Zagreb, në sfidën e fundit kundër Dinamos.
Ekipi i Conceiçao zbriti me marshin e pestë në San Siro duke zhvilluar një presion asfiksues në zonën e ekipit spanjoll, por ishin të pafat ku brenda pak minutash tronditën dy herë portën e Girona-s, me Theo Hernandez që përplasi topin në traversë, ndërsa 5 minuta më pas goditja e Musah gjeti shtyllën pingule.
Për të sjell festë në stadium mendoi Rafa Leao, me portugezin që vallëzoi brenda në zonë duke realizuar një gol shumë të bukur. Në pjesën e dytë, Girona besoi më shumë, arritën të barazonin shifrat me një super gol të Bryan Gil, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë lojë.
Rezultati 1-0 nuk ndryshoi deri në fund, me Milan që feston për këtë 3 pikësh. I kënaqur, por jo plotësisht, u shfaq trajneri Conceiço: “Djemtë bënë një punë të mirë, por asgjë nuk ka përfunduar, është dhe një ndeshje në lojë. Kishte disa gjëra që shkuan mirë, disa të tjera jo, duhet të vazhdojmë të punojmë. Leao? Bëri një gol të bukur, por i kam kërkuar edhe disa gjëra të tjera në lojën pa top”, u shpreh Conceiço.
Suksesi i tre ekipeve Italiane, Inter, Milan dhe Atalanta, ka sjell festë në të përditshmet italiane: “Ka vend për tre. Inter e Milan mes tetë ekipeve të para, ashtu si Gasperini”, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë. “Evropë, ja ku jemi. Fitojnë Inter e Milan, 1/8 një hap larg”, ishte titulli kryesor i La Gazzetta-s.
(BalkanWeb)