NGA ENIDA HIMAJ

Kur na mbeten edhe pak ditë nga 2017, është momenti t’u rikthehemi edhe njëherë ngjarjeve më të bujshme të vitit që po lëmë pas. ‘Showbizz’-i ka pasur këtë vit një sërë ngjarjesh që i kanë vendosur edhe njëherë personazhet e ekraneve tona në fokus. Suplementi “Bluetooth” i “Gazeta Shqiptare” i sjell këto ngjarje për lexuesit.

Ndarjet, bashkimet, lindjet, por edhe sherret janë edhe për këtë vit “kryefjala” e shtypit rozë. Shumë VIP-a do ta kujtojnë 2016-ën si vitin ku gjetën apo kurorëzuan dashurinë e tyre, e disa prej femrave më të njohura do ta kujtojnë si vitin ku u bënë mama për herë të parë.

Sa u përket sherreve, duhet thënë se 2016 ka shënuar edhe kulmin e një konflikti, që degjeneroi në dhunë fizike, madje edhe me të plagosur, flasim këtu për përplasje e “Babastars” me ‘OTR’.

Kristela Gjoka & Noga
Ajo mund të quhet edhe ndarja më e bujshme në ‘showbizz’-in shqiptar. Noga dhe Kristela u martuan në qershor të këtij viti, për t’u ndarë përsëri në qershor të këtij viti. Pas deklaratave për dashuri, erdhën edhe akuzat nga ana e reperit Kosovar. Noga nuk ka nguruar të shkarkojë të gjithë mllefin kundër ish-bashkëshortes publikisht.

“Ajo abortoi në muajin e gjashtë të shtatzënisë, është vrasëse”, ishin akuzat e Nogës ndaj Kristelës, i cili deklaroi gjithashtu se do të hakmerrej për vajzën e tyre që nuk erdhi në jetë.
Kristela e Noga

Çiljeta dhe Alban Hoxha
Janë apo s’janë bashkë? Është kjo pyetja që “torturoi” publikun për muaj me radhë. Vetëm pak kohë pasi Çiljeta deklaroi ndarjen nga bashkëshorti, nisën edhe thashethemet e para për këtë çift të ti.

Mes Çilit portierit të Partizanit nisi dhe flirti në rrjetet sociale, duke zbuluar kështu këtë çift kaq simpatik. Do të ishte vetë këngëtarja, që do të pranonte publikisht se dashuronte sytë e Albanit. Tashmë dyshja po shijon bashkëjetesën së bashku me djemtë që kanë nga marrëdhëniet e mëparshme.
ciljeta

Soni Malaj & Klevi
Soni Malaj dhe Mirko konsideroheshin si çifti i përkryer, derisa këngëtarja kërkoi divorcin. Lajmi i surprizoi të gjithë, por pak muaj më pas Soni Malaj gjeti ngushëllimin në krahët e një mashkulli tjetër, me të cilin nuk e lidh muzika, por pasioni për palestrën. Soni dhe Klevi shpallën lidhjen publikisht, ndërsa u shfaqën së bashku edhe në inaugurimin e biznesit të tyre të përbashkët. Dyshja që prej asaj dite shfaqet kudo bashkë, duke treguar për një dashuri të madhe.
soni

Majk & Majlinda Zeka
Jo pa akuza dhe fyerje ka kaluar edhe kjo ndarje. Majk nuk e kurseu aspak fjalorin e tij, ditët që pasuan ndarjen nga modelja kosovare. Edhe në këtë rast, në qendër të thashethemeve ishte shtatzënia e partneres. Pas shumë thashethemeve, Majlinda konfirmoi shtatzëninë, ndërsa Majk deklaroi publikisht se nuk dinte asgjë për këtë çështje. Ende nuk dihet nëse Majk është babai i fëmijës së modeles, apo kjo e fundit ka nisur një romancë tjetër.
majk

Era & Faton Shoshi
Karriera e suksesshme e Era Istrefit duket se po ecën bashkë me dashurinë. Këngëtarja dhe menaxheri saj po përjetojnë mesa duket një dashuri të vërtetë. Edhe pse përfliteshin prej kohësh, asnjëri nga të dy nuk kishte pranuar të pranonte historinë, deri pak muaj më parë. Gjatë intervistës në radion franceze “Cauet sur NRJ”, ku edhe ka performuar “live”, pyetjes së gazetarit nëse ishte e dashuruar, Era iu përgjigj shkurt, “Po, jam në një lidhje dhe jam shumë e lumtur”.
era

Ledri & Adela Sollaku
Ata të dy ishin një nga çiftet më simpatike të ‘showbizz’-it tonë, por duket se edhe Adela me Ledrin i dhanë fund marrëdhënies në vjeshtë të këtij viti. “E kam dashur shumë”, ka thënë Ledri, ndërsa i shuante shpresat për një rikthim mes tyre. Sidoqoftë, kohëve të fundit dy personazhet janë parë sërish bashkë, ndërsa thuhet se i kanë dhënë edhe një shans njëri-tjetrit. Do të na duhet të presim për të kuptuar se çfarë po ndodh me këtë dyshe.
ledri

Luana Vjollca & Krenar Çoçaj
Asgjë nuk dihej për jetën privatë të biondes seksi deri pak muaj më parë, kur u përfol për një lidhje me ishin e Dafina Zeqirit, Krenar Çoçaj. Luana dhe Krenari u fotografuan teksa ishin duke shëtitur në Evropë, por fotoja që “i vuri vulën” lidhjes ishte ajo e pak ditëve më parë, ku të dy u panë në aeroport, duke u kthyer nga Turqia, pasi kishin kaluar disa ditë. Edhe pse moderatorja nuk pranon të flasë për jetën e saj sentimentale, lidhja me Krenarin tashmë është një fakt i ditur për të gjithë.
luana

‘OTR’ & ‘Babastars’
Mund të quhet pa frikë si konflikti më i madh në ‘showbizz’-in shqiptar. Në mes të shtatorit, Noizy do të përplasej fizikisht me Cozman në Prishtinë. Fillimisht ka pasur një përleshje mes dy grupeve që shoqëronin këngëtarët dhe më pas janë dëgjuar të shtëna me armë, ku dhe Noizy mbeti i plagosur lehtë. Variantet pas këtij sherri ishin të shumtë. Të dyja palët dolën publikisht duke deklaruar se ishin provokuar, Albert Krasniqi, personi që qëlloi me armë, doli nga paraburgimi një muaj pas ngjarjes dhe duket se kjo ngjarje mbeti me aq, të paktë deri më tani.
noizy sherri

Emina Cunmulaj
Supermodelja shqiptar duket se këtë vit ka njohur dashurinë e saj më të madhe dhe nuk po flasim për bashkëshortin. Emina Cunmulaj është bërë nënë në fund të marsit. Menjëherë pas lindjes, ajo ka postuar foton me vajzën dhe bashkëshortin e saj, “Welcome my love Ella Faria Nazarian 7lbs 5oz and 21’ long my beautiful family “, është shkrimi i saj në fotografinë e postuar. Që prej asaj dite modelja nuk heziton të ndajë me ne copëza nga e përditshmja e saj bashkë me të bijën.
emina

Bruno, Artjola Toska, Flor Mumajesi & Endri dhe Stefi
Një konflikt mes artistësh ka pasur pas finales së këngës magjike. Pas revoltës së Endrit për këngën e Artjola Toskës dhe Brunos, ka ndërhyrë edhe Flori. “Ndihem i fyer familjarisht, profesionalisht!” – është shprehur Flori, referuar fjalëve të korçarëve se kënga e Brunos dhe e Artiolës, e krijuar në studiot e “Threedots Production” ishte e vjedhur. Djegia e makinës së kantautorit Flor Mumajesit pasoi këtë debat, duke ngritur dyshime për një implikim të dy vëllezërve, por që të dy e mohuan.
Artiola, Flori

Suada Sherifi
Do të ishte muaji qershor, kur do të bëhej publike se Suada ishte në muajin e pestë të shtatzënisë dhe se priste vajzë. Muaj më vonë erdhi në jetë Deisy, duke ndryshuar tërësisht jetën e ish-”Miss Shqipërisë”. Të gjithë i kujtojmë ende 800 trëndafilat që partneri i dhuroi Suadës pas lindjes së fëmijës së tyre të parë. Pak ditë më parë bukuroshja ka deklaruar se të dy po mendojnë për dasmë tashmë.

suada

Jonida Shehu
Do të ishte fundi i muajit gusht, kur moderatorja Jonida Shehu do të sillte në jetë fëmijën e saj të parë. Vogëlushja e quajtur Kristal, duket se ndryshoi jetën e prezantueses së mirënjohur. Që pas momentit të lindjes, Jonida postoi foto me vajzën, duke marrë tashmë statusin e mamasë. Tanimë ajo i është rikthyer ekranit, ku vijon punën me emisionin “Pasdite në Top Chanel”.

jonida

Aurela Gaçe
Pesë vite pas ardhjes në jetë të vajzës së saj të parë Grace, familjes së yllit të muzikës shqiptare i është bashkuar edhe një tjetër vogëlushe. “Zot faleminderit! Sot erdhi në jetë jeta jonë. Mirëserdhe mes nesh Abigail (gëzimi i babit) Isabelle (E përkushtuar në Zot). Abigail Isabelle Gjonaj (babi i vet i donte këto emra për kuptimin që mbartin). Falënderoj Zotin pafund për ketë mundësi që na dha për të qenë prindër të dy vajzave”, shkroi Aurela pak ditë më parë, pas lindjes së vajzës.
Aurela Gacee

(Bluetooth/GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: