Memorie.al publikon dokument arkivore me dosjet e panjohura të veprimtarisë së aleatëve Anglo-amerikanë në vëndin tonë gjatë periudhës së Luftës, 1943-1946, të nxjerra nga Arkiv Qëndror i Shtetit, fondi “Veprimtaria e misioneve aleate Anglo-amerikane në Shqipëri”, ku hidhet dritë mbi kontributin e tyre vendimtar në çlirimin e plotë të Shqipërisë nga italianët e gjermanët. Si u rrëzuan në Shqipëri me dhjetra avionë aleatë, duke u kapur rob nga qindra parashutistë si dhe viktimat nga popullsia civile në qytete të ndryshme të Shqipërisë

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore forcat aleate anglo-amerikanë morën pjesë aktive që në fillimet e rezistencës antifashiste në Shqipëri duke u inkuadruar në çetat e para nacionaliste dhe ato partizane, ata financuan dhe furnizuan rregullisht me para, veshmbathje, paisje shëndetsore, municjone, armatime, teknikë luftarake, e gjithshka tjetër që i duhej forcave të asaj rezistence në vëndin tonë. Aleatët anglo-amerikanë kryen me qindra inkursione ajrore fluturimi duke bombarduar pa pushim të gjitha trupat dhe vënd-instalimet gjermane kudo që ndodheshin në të gjithë krahinat, fshatrat e qytetet në gjithë territorin e Shqipërisë së asaj kohe, përfshirë edhe ato që ndodheshin në Malin e Zi, Kosovë e Maqedoni.

Dhe si rezultat i gjithë këtij angazhimi të tyre, gjatë viteve 1943-1946, vetëm në territorin e Shqipërisë janë rrëzuar disa dhjetra avionë aleatë, duke u vrarë, kapur rob prej gjermanëve, apo zhdukur pa lënë asnjë gjurmë, disa qindra ushtarakë anglo-amerikanë. Shumica e të cilëve më pas përfunduan krematoriumeve të Aushvic-it, Mat’hauzen-it, Dakao-s, apo kampeve të tjera shfarosëse që nazistët hitlerianë kishin ngritur në shtete të ndryshme të Europës. Por të gjitha këto, për Enver Hoxhën dhe regjimin e tij komunist, patën vlerë deri në vitin 1946, kur lufta kishte mbaruar dhe ai nuk kishte më nevojë për ta.

Në atë kohë Hoxha i ndërpreu të gjitha marrdhëniet me anglo-amerikanët, dhe më pas, gjithshka që ata kishin bërë për Shqipërinë, u fshinë të gjitha sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Që nga ajo kohë e deri në fillimin e viteve ’90-të, historiografia e propaganda zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm që e pasqyronte ndihmën dhe rolin e tyre në Shqipëri si tejet sporadike, por përkundrazi: i konsideronte ata si pengesë në Luftën Antifashiste, duke i identifikuar si “tradhëtarë dhe renegatë” të kauzës e idealeve të tyre komuniste. Si rezultat i gjithë kësaj propagande afro gjysëm shekullore, gjë e cila fatkeqësisht vazhdon ende dhe në ditët e sotme, në imazhin e përfytyrimin e pjesës më të madhe të shqiptarëve, aleatët anglo-amerikanë, janë ata që “hidhnin dy këpucë të një këmbe”, apo “biskota dhe çokollata të prishura, duke “ndihmuar vetëm agjentin e tyre, Bazin e Canës”.

Nisur nga këto çka thamë më lart, pa dashur kurrsesi që të glorifikojmë rolin e tyre, e të mohojmë apo minimizojmë rolin e kontributin e të gjithë atyre shqiptarëve që u ngritën e luftuan kundër pushtuesëve të huaj gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, por me të vetmin qëllim për të ndriçuar e hedhur dritë sadopak mbi të vërtetën, Memorie.al. që nga ky numër e në vazhdim, do të publikojë një sërë dokumentesh arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë, (të cilat para viteve 90-të kanë qenë “Top Secret” dhe nuk janë hapur kurrë), ku pasqyrohet më së miri, e gjithë veprimtaria e aktiviteti i Anglo-amerikanëve në Shqipëri. Një pjesë prej tyre po i botojmë në mënyrë integrale dhe pa asnjë shkurtim, me qëllim që të krijohet një ide sa më e qartë mbi rolin e tyre dhe të Shqipërisë së asaj kohe.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Misionet e para anglo-amerikane në Shqipëri dhe ndihma ndaj partizanëve

Sipas dokumenteve arkivore të cilat korespondojnë edhe me kujtimet e disa prej ish-misionarëve Anglo-amerikanë në Shqipëri, (të botuar fillimisht në SHBA e Angli, e më pas edhe në Tiranë)
ideja për të penetruar ushtarakët Anglo-amerikanë në Shqipëri, u hodh nga Jualian Amery që në vitin 1940, kur ai shërbente si atashe ushtarak në ambasadën britanike në Beograd. Ndërsa i pari
ushtarak që shkeli në vëndin tonë, ishte: Oakley Hill, i cili në prillin e vitit 1941, së bashku me vëllezërit, Said, Gani dhe Hasan Kryeziy, si dhe me Abaz Kupin e Mustafa Gjinishin kaluan
kufirin shqiptar nga Jugosllavia. Kurse misioni i parë aletat në Shqipëri, u hodh dy vjet më vonë, në prillin e vitit 1943, kur Billy McLean, Garry Duffy, Ëilliamson dhe David Smajl, nga Greqia
u futën në vëndin tonë. Më pas vijuan edhe shumë grupe të tjera misionarësh, të cilat hynë menjëherë në kontakte me krerët kryesorë nacionalistë dhe të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, që
kishin, apo po krijonin çetatat e para për të luftuar kundër pushtuesëve italianë.

Kjo gjë konfirmohet edhe nga shumë dokumente arkivore të fondit “Veprimtaria e misione aleate Anglo-amerikane në Shqipëri”, ku misionarët britanikë, kishin arritur deri në Nikaj të Mërturit, duke bërë propagandë apo duke organizuar rezistencën antifashiste. Pas organizmit të kësaj rezistence, ata kaluan në ndihma konkrete duke iu përgjigjur pothuaj të gjitha kërkesave që kishin eksponent kryesorë të Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri. Kjo gjë konfirmohet qartë edhe
në një dokument arkivor që mban datën 3.VIII.1944, ku zv/Prefekti i Beratit, kapiteni i I-rë, Gani Jashari, njofton Zyrën Politike të Ministrisë së Brendëshme në Tiranë., ku shkruhet:

“Kemi informata të sigurta se englezët në Skrapar këto ditët e fundit i kanë shumzue shkarkimet të çdo lloji materiali e ushqime në zonën bazë Staraveckë me qëndër në Helmës. Prej disa ditësh Brigat e Shtatë dhe shumë njësina të Brigatave të ndryshme si të Kurveleshit, Zagoris e tjera janë grumbullue në katundin Therepel ku kanë bërë organizimin e forcimit dhe stërvitje me armë të
rënda artilerie dhe murtaja. Pararojat e këtyne fuqiravet sot janë diktue në katundet ma të afërta me këtë qytet. Nga këto informata na rezulton se të kuqtë në të gjithë zonën e kontrolluar prej tyne kanë bërë mobilizimin e përgjithshëm. Gjithë këto përgatitje i bëjnë për sulmin dhe okupimin e këtij qyteti. Mbasi përballimi i sulmit të tyne të fuqishëm me forcat që kemi sot duket tepër i vështirë, lutemi të intervenohet mundësisht sa më parë për dërgimin e nj fuqije tjetër të
mjaftueshme” (AQSH. Fondi 152. Viti 1944. Dosja 866. Fl. 26)

Bombardimet e anglo-amerikanëve ndaj forcave gjermane

Kulmi i veprimtarisë dhe i kontributit të aleatëve anglo-amerikanë në Shqipëri, arriti në vitet 1943-’44, kur ata intensifikuan goditjet ndaj gjermanëve me anë të inkursjoneve ajrore të bombardimit. Lidhur me këtë bëhet fjalë edhe në një dokument arkivor që mban datën 29.IV.1944, ku Prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, në një njoftim që i bën Ministrisë së
Brendëshme në Tiranë, shkruan: “Komanda e Qarkut Gjindarmërisë këtushme na njofton se më datë 15 të këtij mueji, aeroplanë të huej kanë mitralue rrugën Librazhd-Prenjas, ma tepër kazermat ku ndodhen ushtarë gjermanë; në qendrë Librazhdë janë vrarë katër ushtarë Gjermanë dhe gjatë rrugës së sipërme janë djegë dhe shkatërrue ma se,14-15 makina ushtarake dhe në Prrenjas janë vra tetë ushtarë Gjermanë. Shtojë se deri tani mungojnë informata që t’jenë damtue dhe popullsia civile; përfundimi ka me Ju njoftue”. (AQSH. Fondi 152, Viti 1944. Dosja 374. Fl.102)

Në një tjetër dokument arkivor të kësaj natyre, shkruhet: “Shteti Shqiptar. Nënprefektura e Pukës. Nr.25/22. KONCEPT. Pukë më 1.7.1944. P.T. Prefekturës. Kemi nderin me ju njoftue se Rreth komanda lokale si mbas lajmërimit qi ban na njofton se më datën 29/VI/944
ora 19.30 Aeroplanët Inglez kan mitraljue objektivat ushtarake Gjermane, baraka, makina, në Qëndrën e Pukës si dhe gjatë rrugës Pukë-Rrapë gjuejtun autokolonën ushtarake tue djegun 8 makina. Në popull asnjë dam nuk asht shkaktue.

Nënprefekti (Et’hem Rrema) vula firma).

(AQSH. Fondi 346. Viti 1944. Dosja 65. Fl. 135.)

Po kështu në një tjetër dokument që bën fjalë mbi bombardimet ndaj forcave gjermane, thuhet: “Shteti Shqiptar. Prefektura e Elbasanit. Elbasan më 8 maj 1944. Komuna e Kl.I-rë Librazhd. Nr.125. Librazhd më 29/IV.1944. P.T.Prefekturës Elbasan. Kemi nderin t’ju njoftojmë se sot në ora 3 dhe 5.30 mbas dreke qëndra e kësaj Komune asht bombardue e mitralju, por fatmirësisht kte herë gjat ktyne inkursioneve aerore nuk u provokue as një viktim ndër popull. Me qenë se ndërtesa ku banojnë ushtria Gjermane janë 15-25 metro afërsi me zyrat Qeveritare, tregun dhe banesat familjare nga kta, xhamat e dritarevt të ndërtesave të naltpërmenduna shumë prej sish janë damtue. Me qen se tregu i kësaj komune ndodhet në kryqëzimin e tri udhëve me randësi, dhe gjeografikisht e rrethuese prej maleve dhe kodrave të nalta n’afërsi 200-300 metro me tregun, mbassi ushtria dhe vendi kuasht vendosun materiali ushtarak ndodhet shumë afër me zyrat Qeveritare, tregun dhe banesat familjare, për kta arsye efektet e bombardimit janë të randa e shumë të rrezikshme për popullatën e tregut, sidoqofshin strehimet mbrojtëse. Nga kto rrethana popullata e tregut dhe Nëpunsit janë mjaft të tronditur. Nëse bombardimet do të vazhdojnë, funksionimi në qëndrën e këtushme dotë jetë i pamundshëm. Meqenë se pozita e vendit asht shumë e vështirë dhe e vogël e kurrsesi nuk lejon të vendoset ushtri në ndërtesat e tregut të ktushëm as vënd për depozitim të materialit ushtarak mbasi diktohen shumë lehtë. Pra për me mund me shpëtue popullin e tregut nga ky tmerrë, lutemi të demarshohet ku duhet, që kta ndërtesa të zbrazen mundësisht sa ma shpejt dhe si ushtrija dhe materiali ushtarak të vendosen ndër vende të mbëshefta të paktën 1500-2000 M. larg tregut mbassi ka vende shumë të përshtatëshme. Kryetari i Komunës Ibrahim Dedja d.v.

(AQSH. Fondi 152. Viti 1944. Dosja 374. Fl. 139)

350 avionë angloamerikanë në Prishtinë, qindra viktima nga popullsia civile

Bombardime të shumta të aviacionit aleat pati edhe në viset shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi, ku fatkeqësisht si edhe në të gjitha territoret e tjera të Shqipërisë së pas 1913-ës, pati viktima të shumta nga popullsia civile. Lidhur me këtë bëhet fjalë edhe në një dokument arkivor që mban datën 7.7.1944, ku zv/Prefekti i Prishtinës, Reshit Mehmeti, në një njoftim që i
bën Ministrisë së Brendëshme në Tiranë, i shkruan:

“Për dijeni kemi nderin t’Ju njoftojmë se, më datë 23/6/44, një numër prej gati 350 aeroplanash të huej kanë përshkue prej këtij qarku, prej ku janë shpërnda me drejtime të ndryshme: Serbi e Bullgari. Pak ma vonë, dy prej atyne avionëve, janë kthye dhe kanë lëshue dy bomba në katundin Pleshinë të Ferizajt tue plagosë dy druvarë, të cilët ende nuk janë identifikue mbasi janë marrë prej Gjermanëve e dërgue menjëherë në spital. Gjithashtu, mbas pak kohe, janë kthye dhe dy avionë të tjerë të cilët kanë lëshue një mitraloz në Babush dhe një në Shtimje të Ferizajt bashkë me disa vegla mitralozi, janë marrë prej gjermanëve. Në mbrëmjen e datës 24 të k.m. një sasi aeropllanash kanë fluturue mbi qytetin e Ferizajt dhe m’andej kanë marrë drejtimin e Lubetenit, në majë të të cilit flakëronte një zjarr. Atje janë sjellë për disa minuta. Ka mundësi që të kanë hedhë material lufte çetave komuniste”.

Në disa dokumente të tjera që i përkasin kësaj dosje, jepen njoftime të tjera të prefekturës së Prishtinës, ku bëhet e ditur edhe për shumë bombardime të tjera të avionëve aleatë, si në Pejë, Ferizaj Gilan, Gjhakovë etj. Ku veç dëmëve të shumta që iu shkaktuan forcave gjermane, pati me dhjetra viktimave nga popullsia civile (me listat përkatëse për çdo qytet), si edhe shumë avionë angloamerikanë të rrëzuar e pilotë të kapur rob nga forcat qeveritare e gjermane.

Bombardimet ndaj gjermanëve në Lezhë

Bombardime të shumta të aleatëve kundër forcave gjermane pati edhe në qytetin e Lezhës dhe fshatrat përreth. Lidhur me këtë bëhet fjalë edhe në një telegram urgjent të datës 30.3.1944, ku
zv/Prefekti i Ërës, major Llesh Marashi, njofton Ministrinë e P. të Mbrendëshme në Tiranë, duke i shkruar: “Nënprefektura e Lezhës njofton se prej bombardimeve dhe mitralimeve të
aeroplanëve të huej popullsia e Lezhës janë larguar për në katunde ma tafërme pikë Lutemi na njoftoni se ç’masa duhet të merren për zyrat qeveritare në rast të inkursioneve të vazhdueshme”. Në një tjetër dokument arkivor të Komandantit të Qarkut të Ërës, major Llesh Marashit, që mban datën 28 mars 1944, me anë të një telegrami me nr.7/13, ku ai njofton Komandën
e Përgjithshme të Gjindarmërisë (Zyra e III-të) në Tiranë, thuhet: “Rrethi i Lezhës na njofton se me datën e djeshme ora 11 p.d. në vëndin e quejtun Fusha Hanit, më breg të Drinit të qytetit Lezhës asht bamë një bombardim prej aeroplanëve të huej tuj shkaktue viktima e damet e poshtë treguese pikë Surije Kruja vjeçe 10 vdekun, plagosë randë Muçe Kruja vjeç 5, Fildese Kruja
vjeç 3-Alija Kruja vjeç 2 të gjithë fëmijët e Muhamet Krujës sekretarit gjyqit Lezhës pikë Esat Hamza vjeç 2 vdekun, Istref Hamza plagosë randë e plagosë lehtë Nadire Hamza fëmijët e Hasan
Ramës pikë Halil Dini vjeç 60 vdekun pikë Donika Nikolla Karnese vjeç 35 vdekun pik Ndërtesat ku banojshin këta kan pasë dame të mdhaja pikë Po në rrugën e Kakarriqit ajrorët armiq kanë djegun një kamjon gjerman po pa ndonjë dam në persona pikë sasia e bombave të hedhura jan 3 vetëm njëna preej tyne ka ra në ndërtesën e damtueme pikë Hollësina me raportin shkoqitë”. (AQSH. Fondi 346. Viti 1944. Dosja 65. Fl 23.) Në këtë dosje jepen edhe
dëmet e shumta të shkaktuara forcave gjermane në fshatrat Zejmen, Rrilë, Shënkoll etj, si dhe lista e viktimave nga popullsia civile në qytetin e Lezhës e fshatrat përreth.

Bombardime në Tiranë, qindra viktima viktima nga popullsia civile

Sipas dokumenteve arkivore, intensiteti më i madh i bombardimeve të aleatëve ndaj gjermanëve, ka qenë në Qarkun e Tiranës. Lidhur me këtë, në një dokument që mban datën 5 prill 1944, Komandanti i Gjindarmërisë së Rrethit, kapiten Xhelal Staravecka, njofton Prefektin e Tiranës, Qazim Mulleti, duke i shkruar: “Parashtrojmë se më datën 30/3/1944, në orën 12 deri në 13, nga aeroplanë të huaj ngelën të vramë vdekur 10 persona, dhe të plagosun randë 12, nga të cilët deri tash asht identifikue vetëm Musa Hamzaj, i bir’i Saliut dhe Hanes, dl. 1926, lindun në katundin Nange të Bicaj e Lumës, e banues në Tiranë, karrocjerr ngel i vdekur. Si të vramit ashtu dhe të palgosunit mbas inkursjonit jan dërgue në spitalin civil për mjekimin e të vramit për varrim mbassi të identifikoheshin. Për identifikimin e personave të vramë dhe të plagosun janë dhanë urdhënat e duhuna dhe përfundismisht do tu lajmërohet”. Në një dokument tjetër me nr. protokolli 50/11, që mban datën 11.IV.1944, ku Komandanti i Rrethit të Mbrendshëm,
Tiranë, kapiten Xhelal Staravecka, njofton Prokurorinë e Shtetit Tiranë, midis të tjerash shkruhet: “Ju parashtrohet se me datën 30/3/1944, nga inkursioni ajruer ishin vramë tre persona pranë
çentralit t’elektrikut, të cilët kishin mbetun të paidentifikuem, dhe kufomat e tyne ishin transportue në Spital, të cilët ma vonë u identifikuen dhe janë: Ibrahinm Plaku i biri i Musajt, dhe i zonjës, dl. 31/12/1914, lindun në katundin Marcinep të Komunës së Prezës, Prefekturës Durrsit puntorë. Maksut Ismaili, i biri i Beqirit dhe i Hanëmes, vjeç 40 lindun e banues në Marsenik të
Prefekturës Durrsit, puntorë. Musa Sali Hamzaj nga katundi Nangë i Lumës, dl.1/10/1926, ish-shërbëtuer pranë Mehmet Qyqes në Tiranë. Viktimave u janë gjetë për sipër këto sende: Ibrahimit Fr.Ar.123 bashkë me portofolin ju dorzuen axhs së tij Vath Plakut. Maksutit Fr.ari 120-40 bashkë me portofolin ju dorzuen Mehmet Qyqes nga Tirana, mbasi viktima kishte qenë një kohë të gjatë pranë këtij dhe ky kishte një obligim tjetër ndaj familjs së viktimës. Proçes-Verbali i mbajtun mbi identifikimin e tyne dhe dorzimin e të hollave ngjitun ju paraqitet”. (AQSH. Fondi 152. Viti 1944. Dosja 374. Fl.76) / memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb