Bashkëshorti i gjyqtares Mimoza Margjeka, Arben Cara, dhe dy të dyshuarit e tjerë për korrupsion në Durrës, kanë dalë këtë të shtunë para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë, ku së pari do të merren në pyetje lidhur me akuzat.

Gazetarja Klodiana Lala sjell në redaksinë e “BalkanWeb” foto nga salla e gjyqit, ku shihen të arrestuarit Arben Cara, Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, që presin për masën.

Ata akuzohen se janë bërë pjesë e nje skeme korrupsioni prej 6 mijë eurosh për lirimin e të paraburgosurit Orion Bali, ndaj të cilit rëndonte akuza e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Nejton Bali ishte vëllai i të burgosurit, ndërsa Zhilla dyshohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit. Pjesë e skemës korruptive ishin edhe gjyqtarja Mimoza Margjeka dhe avokati Skënder Demiraj.

Burime i thanë gazetares Lala se SPAK i është drejtuar me kërkesë policisë për të shoqëruar edhe gjyqtaren Margjeka dhe avokatin Demiraj në ambientet e gjykatës. Gazetarja Lala raporton se avokati Demiraj ka mbërritur në gjykatë, ndërsa pritet nëse do të paraqitet edhe gjyqtarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb