Ish-Drejtoresha e Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Sarandë Adriana Shehu, përfaqësuese e Partisë Socialiste, është arrestuar me akuzën për shpërdorim detyre. Ndalimi i saj është bërë me urdhër ndalimi nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Pjesëmarrje në fushatën zgjedhore”.

Mësohet se Shehu ishte pezulluar nga detyra rreth 20 ditë me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë pas dyshimeve për shpërdorim detyre e përfshirje në fushatë elektorale.

Ajo ka qenë duke pushuar dje në plazh në Borsh me vajzën e saj, kur policia ka shkuar për ta arrestuar. Pas ndalimit ish-drejtoresha është transportuar në urgjencën e spitalit Sarandë, sipas mjekëve për gjendjen e rënduar emocionale të saj. Ndërkohë sot ka dalë para gjykatës për të marrë masën e sigurisë.

Shehu ka qenë e pezulluar nga detyra rreth një muaj më parë nga ministri i Drejtesise e dyshuar për pjesëmarrje në fushatë.

Ish-drejtoresha e Hipotekës, gjatë fushatës elektorale u denoncuar për korrupsion edhe nga ish-kryeministri Berisha, i cili në një status të tij e cilësonte si “Ndrikulla e korrupsionit në Sarandë”.

Deklarata e Shehut më 3 qershor
Pas urdhrit për shkarkimin e saj Adrian Shehu pati një reagim sqarues për pjesëmarrjen e saj në fushatë.
“Pershendetje miq dhe dashamires ! Para pak castesh jam vene ne dijeni nga media per shkarkimin tim si Regjistruese e ZVRPP Sarande.
Eshte e habitshme sesi nje tendence politike hedh poshte punen time disavjecare ne drejtimin e nje institucioni dikur gangren e sot kaq dashamires dhe ne sherbim te qytetareve.
Dalja ime publike ne krah te kandidatit per deputet perkon me dite pushimi konkretisht data 20 maj ora 10.30 dite e shtune “Dita Kombetare e Jetimeve ” dhe date 14 maj ora 11 dite e diel.
Ne asnje nga keto aktivitete nuk kam dale kunder percaktimeve te Urdherit te Kryeministrit nr 65 date 12.05.2017. Duke ju falenderuar per suportin e vazhdueshem me mirenjohje Adriana Shehu!”, thuhej në deklaratën e saj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb