DURRES –“Gruaja e kishte mbushur kupën, ndaj e vrava. Më kishte tradhtuar gjithë jetën, e më bënte skena xhelozie. Nuk e duroja dot kur më kërkonte llogari. E bënte gjithmonë, e më erdhi në majë të hundës”.
Kjo është dëshmia që ka dhënë përpara grupit hetimor 73-vjeçari nga Tirana, i cili goditi për vdekje me sëpatë në kokë bashkëshorten 68-vjeçare. Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka siguruar foto nga banesa në Golem, ku ndodhi krimi.

Veli dhe Shazivare Dervishi kishin shkuar disa ditë në Golem, por qetësia u kthye në dramën e çiftit të moshuar. Menjëherë pasi ka kryer vrasjen, i shoqëruar edhe nga djali i tyre, i cili është njoftuar nga babai i tij pas kryerjes së krimit, Veli Dervishi është paraqitur në postën e policisë së Golemit, ku ka pranuar autorësinë e krimit.

Në momentin kur forcat e rendit kanë shkuar në banesën e krimit nuk kanë pasur asgjë çfarë të bënin për 68-vjeçaren, e cila duket se ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga goditja me sëpatë. Trupi i së ndjerës u dërgua në morg dhe u tërhoq nga familjarët. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, gruaja është qëlluar 3 herë në kokë me sëpatë.

Çifti i të moshuarve jetonin në Tiranë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ndërsa shtëpia ku ndodhi krimi ndodhet pak metra larg rreth-rrotullimit të Golemit. Pas marrjes në pyetje të autorit të krimit, policia ka marrë edhe dëshminë e djalit të tyre, i cili ka deklaruar se prindërit e tij kishin patur një marrëdhënie të tendosur gjithë jetën.

Ndërkohë fqinjët e çiftit Dervishi në Golem thonë se nuk kishin parë asnjë problem mes të moshuarve.

“Ishin komshinj tanë dhe rrinin vetëm për verë këtu. Nuk dimë të ishin në konflikt. ata dilnin xhiro bashkë, ishin shumë mirë me njëri-tjetrin. I shikonim gjithmonë bashkë. Nuk kisha parë asnjë konflikt mes tyre.”- deklarojnë fqinjët e çiftit.


(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb