TIRANË- Ndërsa na ndajnë më pak se 4 orë nga protesta e opozitës intensifikohet edhe aktiviteti si nga pala protestuese ashtu edhe nga policia që do të jetë në gatishmëri për të ruajtur rendin e qetësinë.

Duket se këtij qëllimi i ka shërbyer edhe një takim i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj me komandantin e Gardës së Republikës Gramos Sako. Fotot e këtij takimi janë publikuar nga fotografi Agim Rama, ndërsa ministri Xhafaj duket në krah të Sakos, me sa duket në këshillat e fundit para protestës. Po kështu në foto me komandantin e Gardës është edhe Drejtori i Policisë së Tiranës Ardi Veliu.

Xhafa-Sako 2

Dje ministria e Brendshme bëri me dije se të gjitha masat e marra sot nga Policia e Shtetit kanë edhe mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë policinë. Po sipas MB-së në protestën e sotme do të ketë edhe ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme.

“Policia e Shtetit, në komunikimin e saj zyrtar, ka bërë sot publike masat e marra në kuadër të mbarëvajtjes së protestës së nesërme, mbi bazën e kërkesës së bërë nga Partia Demokratike.
Ministria e Brendshme, respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe njëherazi mbështet punën e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit, pavarësisht dhunës verbale dhe fizike të ushtruar ndaj saj në disa nga këto tubime.
Me kërkesën e Ministrit të Brendshëm, hartimi i këtij plani masash është bërë me mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë Policinë e Shtetit. E gjithë veprimtaria e Policisë, ditën e nesërme do të asistohet dhe monitorohet, gjithashtu, nga ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme”,- sqaron MB.

Po ashtu, Ministria e Brendshme ju bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të mbështesin Policinë e Shtetit në ushtrimin e detyrës së saj dhe të distancohen nga individët me mendësi e prirje të dhunshme.

“Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit. Në të njëjtën kohë, ajo do të veprojë sipas përcaktimeve ligjore ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë dhe do t’i përballë ata me ndëshkimin e duhur ligjor”,- përfundon deklarata.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb