Zbulohet fotoja e agresorit të biznesmenit libanez Fadi Mitri, përfaqësuesit të kompanisë Omnix Albania, i cili braktisi Shqipërinë për shkak të presionit dhe dhunës, duke marrë me vete edhe investimin prej miliona dollarësh.

Në foton qe disponon vetë i dëmtuari si dhe Policia Shqiptare, duket se agresori ka zbritur nga makina pasi kishte kryer me pare aksidentin e qëllimshëm me automjetin ku ndodhej Mitri dhe familja e tij.

Automjeti i dhunuesve, një “Volksagen Tuareg” i zi me targa italiane, dallohet qartë i dëmtuar në krahun e djathtë si pasojë e përplasjes. Nga hija e agresorit kuptohet se ai mban në dore një send e që sipas dëshmisë se Fadi Mitri, ishte një shkop bejsbolli. Personi bën kujdes të shohë përreth para se të godasë investitorin libanez. Këtë foto e ka bërë bashkëshortja e biznesmenit Mitri.

Pamja, ndonëse e turbullt, tregon se në sediljen e pasagjerit të makinës së agresorëve qëndron një person, i cili filmon rrahjen. Familja e Fadi Mitri dhe drejtuesit e Omnix Grup të kontaktuar nga Vizion Plus, thonë se policia e ka marre foton, por ende nuk ka arrestuar autorin kryesor të dhunimit. I vetmi i dyshuar, Skënder Kraja, ndodhet në qeli për posedim të një sasie të vogël droge.

Presidenti i Omnix Grup, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Jamal Abu Issa, nuk e fsheh zhgënjimin për punën e policisë.

“16 ditë kanë kaluar nga masakra dhe nuk ka ende një të ndaluar konkret. Ngre pyetjen, pse Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, heziton të arrestojë kriminelët, të cilët barbarisht sulmuan Fadi Mitrin. Asnjë nga personat ne foto nuk është arrestuar, asnjë gjurmë e makinës nuk është gjetur. Edhe ne si kompani bëjmë vlerësimet tona dhe jemi të shqetësuar dhe shumë të pasigurt. Kjo është e vetmja arsye pse në 21 shtator, ne deklaruam se do të tërheqim investimin tonë prej $450 milion dollarë në zhvillimin turistik tek Gjiri i Lalzit dhe çdo investim tjetër të ardhshëm në Shqipëri. Si mundet të ndihesh i sigurt kur shikon në mes të ditës persona të pashqetësuar që rrahin investitorin e huaj, investitor që kishte marrë garancitë nga qeveria për të investuar, kur shikon sesi personi në sediljen e pare të makinës filmon teksa rrihet barbarisht zoti Fadi Mitri në sytë e bashkëshortes dhe fëmijës? Kjo të detyron ta rivlerësosh seriozisht sigurinë e një investimi të tillë përballë jetës së njerëzve”, shprehet Presidenti i Omnix Grup, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas largimit te Fadi Mitri nga Shqipëria, Prokuroria vendosi sekuestro mbi sipërfaqen prej 45 mijë metrash katrorë në Gjirin e Lalzit, ku do të ndërtohej kompleksi turistik. Organi i akuzës dyshon se kjo toke është fituar nga shtetasi Pal Selçuni, përmes dokumenteve të falsifikuara. /Vizion+/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb